In Medias Res

Editoriale

Bashkohuni me ne në rrjetet sociale

Kosovalive SH.P.K.
Rruga Vicianum, 2/1 Arberi
10000 Prishtine
Kosovë

Email: [email protected]
Tel: 038 753 465
Tel: 043 588 700

2020-ta, vit i mbijetesës për ekonominë

me 1 Janar 2021 ora 18:27

U Kopjua

Njohës të çështjeve ekonomike po vlerësojnë se viti 2020 ishte vit i humbur për ekonominë e Kosovës, e cila dhe ashtu ishte në gjendje jo të mirë, edhe para krizës që shkaktoi pandemia.

Ky vit pritet të përmbyllet me një humbje prej 7.2 për qind, sipas Bankës Qendrore të Kosovës. Sipas ekspertëve, sikur programi i rimëkëmbjes të kishte nisur të zbatohet në qershor, humbjet do të ishin ndoshta përgjysmë më të ulëta.

Muhamet Mustafa, profesor në Institutin “Riinvest”, thotë se viti 2020 në aspektin ekonomik ka qenë një nga vitet më të vështira që nga periudha e pasluftës për Kosovën.

“Pa dyshim që është një nga vitet më të vështira, sikurse në planin global dhe rajonal. Një rënie e tillë, një tkurrje e tillë e bruto-produktit të brendshëm nuk është shënuar në historinë më të re, pas krizave të vitit 1933 në planin global. Por edhe në Kosovë, kjo rënie është më e madhe dhe nuk ka qenë prezentë gjatë tërë periudhës së pasluftës”. 

“Ky ishte një vit më pasoja. Kosova duhet domosdo të gjenerojë rritje të madhe ekonomike për t’i përballuar shpërpjesëtimet e mëdha në aspektin e tregueseve kryesorë makro-ekonomikë. Pandemia dhe ndikimi i saj vlerësohet diku se do të jetë një rënie e vlerës së re të krijuar në mes 7-10 për qind”, ka thënë Mustafa, për Ekonomia Online.

Ai thotë se të dy qeveritë, ajo Kurti dhe ajo Hoti, janë munduar të menaxhojnë situatën ekonomike krahas pandemisë, por vonesat në zbatimin e këtyre pakove për shkak të problemeve politike, kanë bërë që kriza ekonomike të rritet.

Pandemia e gjeti Kosovën në një situatë të vështirë, edhe politike

Mustafa vlerëson se po të fillonte të zbatohej më herët pakoja e rimëkëmbjes ekonomike, kriza do të ishte më e vogël.

“Sa do të jenë masat të qëlluara, është më rëndësi edhe efektiviteti në zbatimin e tyre. Sikur këto masa që i ka paraparë programi i rimëkëmbjes të ishin vënë në zbatimin në qershor, ne do të kishim një tregim tjetër dhe ndoshta rënia ekonomike do të ishte 5-3 për qind”, u shpreh Mustafa.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se pandemia e ka gjetur Kosovën në një situatë të vështirë ekonomike, por edhe politike.

Rukiqi, në një bisedë për Ekonomia Online, shprehet se ky ishte vit i mbijetesës për ekonominë kosovare.

Sipas tij, kriza e shkaktuar nga pandemia e ka gjetur Kosovën të papërgatitur, qysh i ka gjetur të papërgatitura edhe shumë vende të tjera. 

“Por për dallim prej vendeve të tjera, të cilat kanë një stabilitet më të madh ekonomik-financiar, dhe në situata normale e menaxhojnë ekonominë më mirë; neve na ka gjetur në një situatë jo të lehtë edhe në aspektin politik. Shto këtu, edhe mungesën e resurseve, pasi kur është bërë buxheti i vitit 2020, që u miratua me vonesë shkaku i vonimit në krijimin e qeverisë, nuk është paraparë asgjë sa i përket menaxhimit të pandemisë dhe pasojave në ekonomi”. 

“Ekonomia jonë ka edhe pak investime në sektorin privat. Të gjitha këto kanë ndikuar që ky të jetë vit i mbijetesës. Nuk është një vit i cili lë shumë hapësirë për të shënuar ndonjë progres të caktuar”, shtoi Rukiqi.

Sipas tij, në procesin e rimëkëmbjes ekonomike, ndihma nga institucionet duhet të jetë e përqendruar sidomos te bizneset, si më të goditurat gjatë pandemisë. 

“Orientimi është që bizneset të kenë një qasje të lehtësuar në financa. Bizneset të përfitojnë ndihmë të drejtpërdrejtë financiare, sidomos sektorët të cilët janë goditur më së shumti nga pandemia. Duhet të shikohen të gjitha mundësitë që të ketë lehtësime fiskale jo vetëm ato që janë paraparë në ligjin për rimëkëmbje ekonomike por edhe për investime të reja”, tha ai.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, thotë se shpërthimi i pandemisë i la në hije të gjitha prioritetet ekonomike dhe gjithçka u zhvendos në menaxhimin e pandemisë.

Zeka ka thënë për Ekonomia Online se viti 2020 realisht mund të konsiderohet i humbur për ekonominë.

“Shpërthimi i pandemisë në muajin mars pas zgjedhjes së qeverisë së re sigurisht që i la në hije të gjitha prioritetet që i kishim në mendje dhe gjithçka u zhvendos te menaxhimi i pandemisë si në aspektin e kujdesit shëndetësor dhe në atë të krizës që pandemia kishte shkaktuar në ekonomi dhe në të gjithë sektorët”.

“Viti 2020 realisht është vit i humbur dhe presim që ta mbyllim këtë vit me një normë prej 7.5 % siç është paraparë nga institucionet e Kosovës, përfshirë nga Banka Qendrore”, tha Zeka.

Drejtori i OEAK theksoi se pakot të cilat kanë nisur të zbatohen nga ana e Ministrisë së Financave dhe dikastereve të Qeverisë së Kosovës natyrisht kanë qenë të mirëseardhura për ndërmarrjet e sektorit privat dhe ekonominë e vendit.

Por, ai vë në dukje se shpeshherë masat janë implementuar në mënyrë të njëtrajtshme për të gjitha ndërmarrjet pa marrë në konsideratë se ato kanë pasur pasoja të ndryshme.

“Tashmë kemi një projektligj të rimëkëmbjes ekonomike, dhe një shumë prej 200 milionë eurosh, të cilat do të ndahen në formë të granteve, duhet që kjo shumë të ndahet proporcionalisht me dëmin që është shkaktuar ndërmarrjeve të caktuara”, shtoi ai.

Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, thotë se Kosova këtë vit u ballafaqua me shumë probleme ekonomike, politike e integruese. 

Sipas tij, viti 2020 do të mbahet mend edhe për faktin se qytetarët dhe bizneset përjetuan dy Qeveri të zgjedhura e dy të shkarkuara.

“Kosova e humbi fuqinë konsumuese, qarkullimin e brendshëm që është mbi 1 miliard, dhe buxheti pati humbje mbi 300 milionë €, duke mos e përfshirë këtu edhe keqpërdorimet dhe hajnia që ndodhi mbi 2 milion € nga Thesari i Kosovës etj”. 

“Bizneset dhe punëtorët e saj do të ballafaqohen me një krizë të paimagjinuar, pasi supozohet se kanë mbetur mbi 50 mijë punëtorë të papunë, ndërsa mbi 5 mijë biznese janë mbyllur. Investimet e huaj ranë mbi 50 për qind”, deklaroi Shahini.

Shpresë për rimëkëmbje në vitin 2021

Kosova mund të shënojë rritje të lehtë ekonomike në vitin 2021, në qoftë se edhe situata me pandeminë përmirësohet.

Profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa, thotë se nëse ka konstruktivitet nga politika dhe ndërmerren masa adekuate mund të kemi rritje të zhvillimit ekonomik. 

“Me një përmirësim të vogël ne do të kemi rritje, por edhe me këtë rritje ne nuk do ta mbërrijmë nivelin e Produktit të Brendshëm Bruto që e kemi pasur në vitin 2019. Sa do të arrihet kjo dhe si do të arrihet kjo, varet prej vetëdijesimit të forcave politike që në interes të vendit luftën politike duhet ta zhvillojnë brenda Kuvendit në suaza racionale me propozime konstruktive”.

“Gjitha parashikimet do të mund të bëheshin që diku në kuartalin e tretë të vitit të ardhshëm të jemi diku në nivelin e vitit 2019. Janë disa probleme që kemi, rënie të investimeve, çrregullim të proporcioneve të buxhetit kemi një angazhim jo mjaftueshëm të sektorit financiar apo bankave”, thotë Mustafa.

Ndërsa, Arian Zeka shprehet i bindur se në vitin 2021 do të ketë rikuperim të ekonomisë.

“Nuk mund të presim një rritje me të madhe krahasuar me buxhetin që e kemi pasur përgjatë këtij viti. Do të ketë shkurtime për shkak të parashikimit për zvogëlim të mundshëm të të hyrave. Do të kemi buxhet të shkurtuar edhe brenda vitit 2021”. 

“Ajo çka është pozitive për Kosovën është se në vitin 2021 do të kemi rikuperim në ekonomi. Ndoshta nuk do të arrijmë rritjen e normës ekonomike e cila ka karakterizuar vendin në fund të vitit 2019. Me rëndësi është që shteti ta kuptojë që bizneset kanë nevojë për përkrahje, që ekonomia mund të rikuperohet vetëm përmes përkrahjes së shtetit për sektorin privat”, thekson drejtori i Odës Amerikane.

Sipas parashikimeve të BQK-së, ekonomia e Kosovës në vitin 2020 pritet të shënojë një rënie prej 7.2 për qind në terma realë, e cila paraqet goditjen më të rëndë që ka pësuar ekonomia në këto 20 vite.

Ndikim të rëndësishëm në rënien e aktivitetit ekonomik në Kosovë kishin edhe masat e kufizimit të lëvizjes nga shtetet tjera, ku nga të dhënat e regjistruara deri në shtator 2020, shpenzimet e jorezidentëve në Kosovë, pjesa më e madhe e të cilave janë nga diaspora, ishin 470 milionë euro, e cila paraqet një rënie prej rreth 60 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Por, diaspora ka vazhduar të ndihmojë ekonominë edhe në kohë pandemie. Vlera e remitencave të pranuara deri në tetor 2020 ishte 796.5 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 12.9 për qind.

Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit “Promovimi i Edukimit Medial dhe Forcimi i Gazetarisë së Pavarur në Ballkanin Perëndimor”, i cili realizohet me fonde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes British Embassy Pristina. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorëve/autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Albany Associates, Media Centar Sarajevo, apo KosovaLive.