A ka familjë në Prishtinë që s’ka qen?

11:11 / 03 Qershor 2022

U Kopjua

Kudo nëpër rrugët e Prishtinës sheh njerëz që shëtisin me qen, veçmas në pjesën e vjetër të qytetit, ku njerëzit e mbajnë veten si “pjesa qytetare e kryeqytetit”. Por, njerëz me qen sheh, madje, edhe në shëtitoren e Prishtinës, veç atyre endacakë, e që janë me bollëk dhe s’kanë për të dalë fare kurrë… shkruan Kosova.LIVE.

Po të kalosh nëpër pjesën e vjetër të qytetit të Prishtinës, veçmas në pjesën rreth Shkollës fillore “Elena Gjika” dhe Gjimnazit “Sami Frashëri”, si dhe në pjesën rreth parkut të qytetit, kudo hasësh në njerëz me qen, racash të ndryshme.

Mirëpo, një gjë duhet ditur: mbajtja e qenve në ambiente familjare kërkon edhe kulturë të mirëmbajtjes së qenit. Dhe, mu për këtë qëllim në Prishtinë ka edhe sallone bukurie për qenët… NJË QEN SA NJË LOPË!

Ditë më parë, teksa pinim kafe në kafenenë afër Redaksisë, im shok, Sokol Murturi, më thotë se djali i tij e ka hequr qenin nga shtëpia. Thënë të drejtën, më thotë ai, u gëzuam e tërë familja, sepse qeni lodronte nëpër shtëpi më shumë sesa ne njerëzit.

“Si e hoqi? E shiti?”, i them unë. “Jo, nuk e shiti, por e fali në sallonin e qenve ku e kishte blerë para një kohe”, ma ktheu ai dhe vazhdoi: “Po ta kishte publikuar në “Facebook”, pa dyshim, do e kishte shitur nja 500 euro, sepse ka qenë racë e mirë”, ma ktheu ai. “500 euro!”, habitem unë dhe vazhdoj: “Po, 500 euro nuk i bën një lopë, bre burrë!”.

Dhe, kur njeri ndalet e mendon: 500 euro një qen, 500 euro një lopë, vërtet qesharake! Një lopë e mban familjen me qumësht, djathë e viç, kurse një qen e fikë familjen me shpenzimet e çdoditshme…

Pra, për hir që ta mbajmë veten në trend qytetari, e fikim familjen me qen, që me shumicë hasim kudo, madje edhe jemi gërditur nga ta, që s’ka skutë që nuk i hasim…