Abazoviq, partisë së Gjukanoviqit: Po krijoni atmosferë që ‘ai shqiptari’ s’vendos për vendin tonë

17:18 / 19 Gusht 2022

U Kopjua

Deklarata e bujshme e kryeministrit malazez, Dritan Abazoviq, i cili akuzoi DPS’në dhe iniciuesit e mocionit të mosbesimit se “po iu pengon fakti se jam shqiptar”, po vazhdon të jetë temë diskutimi në kuvendin e Malit të Zi.

Pas reagimeve të shumta që mori nga anëtarë të DPS’së në lidhje me këtë deklaratë, Abazoviq këmbënguli se fakti se është shqiptar po shkakton trazira në qeverisjen e tij.

“Këta njerëz krijojnë atmosferë që ‘ai Shqiptari [siptar, si term fyes] nuk mund të vendos për vendin tonë”, tha Abazoviq, drejtuar deputetëve të partisë së Milo Gjukanoviqit.

Kryeministri Abazoviq është shprehur “i relaksuar” derisa tha se problemin nuk e ka me rrëzim të qeverisë.

“Kjo është narrativa, butoni është shtypur, prandaj ushtrinë e tyre ma drejtojnë mua dhe qeverisë. Qeverinë, po, rrëzojeni, problemin nuk e kam këtu. Nuk kam shkuar unë të kërkoj mbështetjen e kishës serbe”.

Marrëveshja që Abazoviq nënshkroi me Kishën Ortodokse Serbe, që po konsiderohet si pika fillestare që shkaktoi mocionin e mosbesimit ndaj tij, Abazoviq vazhdon ta mbështesë.

“Edhe askush po të mos më votonte, përsëri do e nënshkruaja Marrëveshjen”, tha ai para deputetëve të Kuvendit.

“Kjo të ishte çfarë do të bëja sepse mendoj se është çështje e të drejtave dhe të ardhmes së Malit të Zi. Nuk ka shkaktuar asgjë, e as s’do të shkaktojë asgjë”.