In Medias Res

Editoriale

Bashkohuni me ne në rrjetet sociale

Kosovalive SH.P.K.
Rruga Vicianum, 2/1 Arberi
10000 Prishtine
Kosovë

Email: [email protected]
Tel: 038 753 465
Tel: 043 588 700

“Armend Xhaferi Trio” me jazz origjinal si rrëfim për rrjedhën e jetës

me 8 Dhjetor 2020 ora 17:17

U Kopjua

Formacioni i udhëhequr nga kitaristi i njohur Armend Xhaferi preu shiritin e “Peja Jazz” me një program që gërsheton tingujt e jazzit me ata folklorikë. Loja e tij tek publiku rrugëtoi në një bashkëdyzim me Kiril Tufekcievski në kontrabas dhe Viktor Filipovski në bateri. “Armend Xhaferi Trio” solli nëntë këngë kryesisht origjinale e të cilat, sipas Xhaferit, përshkruajnë rrjedhën e jetës, lëvizjen e përhershme

Tinguj të muzikës jazz nisën pushtimin e një “strehe” të re. Kinemaja “Jusuf Gërvalla” në Pejë, ndonëse e zbrazur tash e sa kohë për shkak të pandemisë, e riktheu publikun për një seri të re koncertesh në qytet që mori miratimin e publikut qysh në hapje. Ndonëse në distancë, të gjitha ulëset e caktuara për shikuesit kanë qenë të zëna. Ndriçimi i skenës plotësohej edhe më me llamba. E bashkë me dritat e skenës, Peja ndezi edhe dritën e gjelbër për një ngjarje dedikuar tërësisht muzikës jazz.

Kitaristi i njohur Armend Xhaferi në kitarë udhëhoqi këtë mbrëmje muzikore me një program që gërsheton tingujt e jazzit me ata folklorikë. Loja e tij tek publiku rrugëtoi në një bashkëdyzim me Kiril Tufekcievski në kontrabas dhe Viktor Filipovski në bateri. “Armend Xhaferi Trio” solli nëntë këngë. Jazz-kitaristi Xhaferi, i cili është edhe kompozitor, mes tingujve të jazzit ka futur edhe tinguj folklorikë të jugut e të veriut. Për publikun, ai solli edhe interpretimin e këngës “Vaj si kenka ba dynjaja”.

“A po ju bëjmë shumë zhurmë”, ka qenë pyetja e Xhaferit për publikun, para të cilit ka luajtur më shumë se një orë. Tingujt që janë herë më të qetë e herë me intensitet më të shtuar, sipas Xhaferit, e përshkruajnë rrjedhën e jetës, lëvizjen e përhershme. Ky ishte koncerti i tretë i tij për sivjet.

“Sado që është kohë e vështirë po mundohemi ta vazhdojmë jetën”, ka thënë Xhaferi, teksa ka shtuar se koncertin e ka përcjellë me një kënaqësi të rikthimit në skenë dhe me frikë për publikun për shkak të situatës me pandeminë.

“Ky është albumi të cilin e kam incizuar dhe është momentalisht në miksim. Edhe pak del. Janë të gjitha kompozime të miat, përveç disa tradicionaleve”, ka treguar Xhaferi.

Kjo seri koncertesh, i cili po mbahet në qytetin perëndimor gjatë gjithë javës, do ta mbledhë publikun e kufizuar në numër për t’i dërguar në një botë muzikore ku dominojnë tingujt e jazzit.

Njëri prej atyre që e ka ndjekur koncertin ka qenë edhe kitaristi i njohur pejan Luan Sapunxiu, i cili ka thënë se këtë mbrëmje e ka përjetuar si rikthim të jetës kulturore në fundvit në qytetin perëndimor.

“Ishte kënaqësi e posaçme, pasi që në përgjithësi jazz- skena në Kosovë është shumë e varfër. Instrumentistët e kësaj skene duhet të lavdërohen që po e mbajnë gjallë këtë lëmi të muzikës. Ky koncert nga Xhafa tregon se ai është edhe në nivel evropian, i cili duket shumë spontan dhe shumë thjesht dhe sonte të tre instrumentistët erdhën shumë të kombinuar”, ka thënë Sapunxhiu për KOHËN.

Në kohën kur pandemia COVID-19 ka goditur skenën e kulturës gjithandej globit, organizata “Anibar” e cila vepron në qytetin perëndimor të Kosovës – organizatore e njërës prej ngjarjeve kryesore në skenën kosovare dhe jo vetëm, festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar, “Anibar” ka synuar të sfidojë veten që mu në këtë kohë të sjellë një ngjarje të re kulturore, e cila ka për qëllim zvogëlimin e distancës midis njerëzve, gjithmonë duke respektuar masat në fuqi për mbrojtje nga përhapja e virusit COVID-19.

“Këtë edicion jemi munduar ta krijojmë një program, i cili mund ta reprezentojë edicionin e parë të festivalit. Jemi fokusuar që ta krijojmë një ngjarje kulturore, e cila mund t’u shërbejë njerëzve gjatë kohës së pandemisë”, ka thënë Vullnet Sanaja, drejtor i organizatës “Anibar”.

Sanaja ka thënë që kjo iniciativë është shpresëdhënëse që mbrëmje të tilla të organizohen edhe gjatë vitit në skenën e kinemasë “Jusuf Gërvalla”.

“Tash Peja po fillon tani me një seri koncertesh dhe po shpresoj që vitin tjetër të ketë edhe më shumë koncerte të tilla jazz qoftë në formën e një festivali apo edhe si mbrëmje muzikore”, ka thënë ai.

Në koncertin e dytë, sonte prej orës 17:00, do të interpretojnë Dukagjin Muhaxheri në saksofon dhe Visar Kuçi në kitarë. Fokusi kryesor i dyshes është interpretimi i veprave nga kompozitorë botërorë të muzikës jazz e sidomos aranzhimi dhe përshtatja në mënyrë shumë origjinale e këtyre veprave për formacionin: alt saksofon dhe kitarë. Për ata që nuk kanë arritur t’i përcjellin koncertet nga afër, ato do të transmetohen për festat e fundvitit në Kohavision dhe në faqen e organizatës “Anibar”.

Ky edicion i parë i “Peja Jazz” po organizohet në kuadër të projektit “Komunitet i Fuqizuar përmes Artit dhe Kulturës” i “Anibarit”, që mbështetet nga Fondi Ndërkombëtar i Ndihmës së Zyrës së Jashtme Federale Gjermane, “Goethe-Institut”.