Bashkohuni me ne në rrjetet sociale

Kosovalive SH.P.K.
Rruga Vicianum, 2/1 Arberi
10000 Prishtine
Kosovë

Email: [email protected]
Tel: 038 753 465
Tel: 043 588 700

Arsyet e rënda pse çiftet kosovare po ndahen çdo vit e më shumë

me 26 Maj 2022 ora 17:09

U Kopjua

Deri sa vdekja të na ndajë’ është premtimi që çiftet i japin njëri-tjetrit kur e kurorëzojnë dashurinë e tyre. E ky premtim duket të jetë vetëm sipërfaqësor, themi kështu duke u bazuar në statistikat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti janë shënuar mbi 340 raste të prishjes së kurorëzimit.

Fenomeni i divorcit është bërë një ndër temat më të studiuara kohës së fundit në shkencat sociale e në veçanti në shkencën e psikologjisë dhe sociologjisë, megjithatë divorci paraqet një të drejtë themelore të vetë njeriut, raporton Kosova.LIVE

Ky fenomen ka përfshirë një pjesë të madhe të vendit tonë.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës gjatë tre muajve të parë të këtij viti janë shënuar mbi 340 raste të prishjes së kurorëzimit.

Sipas ASK në janar janë ndarë 119 çifte, në shkurt 122 dhe në mars 103.

‘…sa i përket shkurorëzimeve të ndodhura në Kosovë për muajin Mars janë 103 raste, krahasuar me muajin Shkurt kemi rënie të numrit të çifteve të shkurorëzuarve për (15.6%).Kurorëzimet e ndodhura në Kosovë dhe jashtë Kosovës për muajin Mars janë 1442 raste, krahasuar me muajin Shkurt kemi rënie të numrit të çifteve të kurorëzuara për (-26,7%)’, ka treguar ASK.

Ndarje të çifteve ka pasur edhe gjatë vitit të kaluar, por që numri ishte më i vogël, shkruan Syri.net

Image

Në një përgjigje për Syri.net Kosovë, psikologu Yll Avdijaj ka folur më shumë në lidhje me divorcet që po ndodhin në Kosovë.

Psikologu e quan këtë si dukuri shqetësuese për faktin e pasojave psiko-emocionale që mund të sjell te personat e divorcuar e sidomos te rastet kur kanë edhe fëmijë.

 ‘Rritja e numrit të divorceve në Kosovë është një dukuri mjaft shqetësuese në shikim të parë, kjo për faktin e pasojave psiko-emocionale që mund të sjell te personat e divorcuar e sidomos te rastet kur kanë edhe fëmijë!’, ka thënë ai.

Tutje, Avdijaj thotë se deri tek divorci juridik qifteve ju ndodhin edhe tri divorce të tjera që janë të aspektit psikologjik.

‘Shifrat zakonisht flasin për numrat e divorceve juridike, mirëpo nga aspekti psikologjik, përveç divorcit juridik njihen edhe divorci emocional (kur në mes bashkëshortëve nuk ka më afeksion apo ndjenja dashurie për njëri-tjetrin…), divorci psikologjik (kur nuk arrijnë më që ta kuptojnë njëri-tjetrin…) dhe divorci fizik (kur bashkëshortet abstenojnë dhe shkëputen nga marrëdhëniet seksuale, largimi nga shtrati, dhoma, shtëpia etj.) Pra, para se të vije çështja deri te divorcimi juridik, paraprakisht kanë ndodhur edhe tre divorcet e tjera të lartpërmendura!’

Psikologu për Syri.net Kosova ka renditur disa prej arsyeve që qiftet vijnë deri tek divorci.

Varësisht arsyes së divorcit edhe pasojat mund të marrin dimensione të ndryshme ka thënë psikologu.

‘Arsyet që mund të çojnë deri në divorce, zakonisht janë të shumta dhe të ndryshme, mirëpo këtu mund të përmendim vetëm disa nga to, si psh: mos marrja e përgjegjësive në bashkëshortësi dhe familje, mungesa e njohurive mbi martesën, tradhtia bashkëshortore, mos durimi ndaj njëri-tjetrit, botëkuptime dhe konceptet e kundërta për stilin e jetës; pastaj si arsye tjera këtu mund të hyjnë edhe dhuna sistematike qoftë ajo fizike, apo psiko-emocionale!

Varësisht arsyes së divorcit edhe pasojat mund të marrin dimensione të ndryshme. Mirëpo duhet përmendur se, në rastet kur lidhja martesore është toksike dhe abuzive, atëher divorci do të ishte një zgjidhje më e arsyeshme se sa një martesë e tillë të përfundojë me ndonjë fatalitet.’

Në anën tjetër sociologia Flaka Ymeri tregon disa nga arsyet që çojnë në përfundimin e martesave.

Sipas Ymerit, faktorët që po i ndajnë bashkëshortët janë krijimi i lidhjeve në moshë të re dhe gjendja e rëndë ekonomike.

‘Fenomeni i divorcit në shoqërinë tonë është çdo ditë në rritje. Si faktorë kryesorë që po vie deri tek divorcet janë krijimi i lidhjeve në moshë të re apo edhe diferencat e mëdha në moshë, mospërputhje në mendime si konflikt gjeneratash. Faktorë të tjerë janë kushtet e rënda ekonomike, rritja e obligimeve familjare dhe mospërmbushja e tyre çojnë në konflikte që si përfundim çon tek divorci. Mospërmbushja emocionale dhe humbja e kujdesi ndaj partnerëve, jetesa në bashkësi familjare dhe në familje patriarkale. Pastaj arsyet tjera janë mospërballimi i presionit dhe mos toleranca për të zhvilluar jetë sipas planifikimi të familjes i shtyn që çiftet të kenë konflikte dhe të përfundojnë në divorc. Por ka edhe faktorë të tjerë shoqëror e social’.

Ajo thekson se edhe pandemia ka shkaktuar pasoja psiko-sociale që ka eskalur edhe në dhunë mes çifteve, sidomos ndaj femrave dhe fëmijëve.

‘Pandemia në një formë ka ndikuar që të ketë shumë divorce mes çifteve si pasojë e mbylljes dhe kufizimeve të shumta. Tek kategoritë me ekonomi të dobët ka pasur ndikim pas shumë çifte nuk i kanë përballuar kushtet e dobëta dhe nuk i’a kanë dalë të përmbushin nevojat materiale. Kjo më pas ka ndikuar duke shkaktuar pasoja psiko-sociale duke shfaqur edhe dhunë mes çifteve e sidomos ndaj femrave dhe fëmijëve’.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në planin e tij qeverisë parasheh që të lehtësohet jeta e çifteve të reja.

Kurti ka premtuar se do të ndërtojë 4 mijë banesa për çiftet e reja në mënyrë që t’ia mundësoj blerjen e banesës me këste brenda 10 viteve

‘Si përgjigje ndaj këtij problemi do të mundësojmë banim të përballueshëm për 4.000 familje vetëm gjatë mandatit të parë qeverisës. Kjo do të arrihet përmes programit “150×150”, ku familjet përfituese do bëhen pronarë të banesave me këste mujore prej vetëm 150 eurove maksimumi dhe për një periudhë kohore prej jo më shumë se 150 muajve’, thuhet ndër të tjera në planin e Kurtit, raporton Kosova.LIVE.