In Medias Res

Editoriale

Bashkohuni me ne në rrjetet sociale

Kosovalive SH.P.K.
Rruga Vicianum, 2/1 Arberi
10000 Prishtine
Kosovë

Email: [email protected]
Tel: 038 753 465
Tel: 043 588 700

Arti i aktivistit

me 25 Korrik 2020 ora 20:33

U Kopjua

Nikkolas Smith e quan veten një “artivist”: artist dhe aktivist. Shtatë vjetët e fundit, artisti nga Los Angelosi ka mbajtur zi nëpërmjet veprave të tij për jetët e afro-amerikanëve. Ai thotë se po ndjek rrugën e këngëtares Nina Simone, që ka thënë se është detyrë e artistit për të reflektuar në kohë.

“Unë gjithmonë jam duke shikuar se çfarë po ndodh në botë dhe përpiqem të reflektoj për këtë”, ka thënë Smith. “Ka shumë afro-amerikanë që u është marrë jeta në këtë botë. Unë përpiqem të procesoj se si kjo më ka bërë të ndihem si pjesëtar i këtij komuniteti”.

Portreti i George Floyd, i realizuar nga Smith, që është vrarë nga policia e që nxiti protesta në gjithë botën kundër dhunës policore, është tani në kryeqendrën e billbordeve në “Times Square” në New York dhe në qendrën tregtare “Beverly Center” në Los Angeles. Për imazhin gjysmë-abstrakt, Smith ka thënë se ka përdorur vija të ashpra të brushës rreth Floydit që ka veshur kostum.

“Vepra shfaq George Floydin që ju shikon direkt me pak shqetësim në sytë e tij”, sqaron Smith. “E ndiej sikur ai pyet se çfarë po ndodh? Pse më ndodhi mua kjo? Dëshiroj që përmes artit tim t’i tregoj botës që ai ishte një qenie njerëzore që jetoi në tokë”.

Grupi “Black Lives Matter” porositi portretin e Floydit për billboard dhe një video si nderim për viktimat nga përdorimi i dhunës policore.

“Nikkolas është njëri prej atyre artistëve që bën thirrje të ndryshojmë mënyrën se si ne e shohim veten tonë”, ka thënë Kailee Scales, drejtoresha menaxhuese e “Black Lives Matter Global Network Foundation”. Ajo ka thënë se ka vite që kishte parë imazhet e tij online dhe BLM e kishte ftuar Smithin vitin e kaluar që për “Art Basel” të krijonte një logo për kampanjën e tyre civile, “What Matters”. Ajo ka thënë se portreti i tij i George Floydit dhe të tjerëve janë në linjë me mesazhin e grupit për nderimin e dinjitetshëm të jetëve të afro-amerikanëve.

“Ai shumë shpesh i kap njerëzit në momentet e tyre të lumtura para se ato të ndërpriten nga dhuna”, thotë Scales. “Dhe kjo me të vërtetë ishte një nderim për shpirtin e ‘Black Lives Matters’, qasja humane ndaj afro-amerikanëve”.

Në mesin e ndjekësve të Smithit është ish-zonja e parë Michelle Obama, që e postoi pikturën e tij të George Floyd në llogarinë e saj në “Instagram” dhe këngëtarja Rihanna, që bëri “retweet” pikturën e tij të ish-yllit të hip-hopit Nipsey Hussle. Smith ka pikturuar aktivistë të të drejtave njashtu sikurse edhe ikona të sportit e të kulturës, e po ashtu edhe viktimat e abuzimeve policore, përfshirë portretin e 26-vjeçares Breonna Taylor në uniformën e saj, 18-vjecarit Michael Brown në uniformë të diplomimit dhe Ahmaud Arbery në kostum.

“Zakonisht më pëlqen që të krijoj diçka më të hareshme, edhe nëse është një situatë tragjike”, ka thënë Smith. Për portretin e Ahmaud Arbery ka pasur një ide të qartë. “Thashë me vete: ‘E dini çfarë? Unë duhet të pikturoj vetëm tragjedinë, terrorin dhe dhembjen, që jam i sigurt që ishte në fytyrën e tij’. Kam dashur, në stilin tim abstrakt të pikturave me vaj, të krijoja një vepër të rrjedhshme me shumë emocione. Është disi e dhunshme. Nuk është e përfunduar. Shumë nga veprat e mia nuk janë të përfunduara. E shoh këtë si një lloj paralele me jetën e këtyre njerëzve, sepse ata nuk e kanë pasur rastin që ta përmbyllin jetën ashtu siç është dashur”.