In Medias Res

Editoriale

Bashkohuni me ne në rrjetet sociale

Kosovalive SH.P.K.
Rruga Vicianum, 2/1 Arberi
10000 Prishtine
Kosovë

Email: [email protected]
Tel: 038 753 465
Tel: 043 588 700

Championsi rikthehet me superduelin City – Real

me 7 Gusht 2020 ora 19:06

U Kopjua

Gara më elitare e futbollit në Evropë, Liga e Kampionëve, do të rikthehet të premten mbrëma në skenë, dhe atë me duelin derbi ndërmjet Manchester Cityt dhe Real Madridit. Nuk ka rikthim më të mirë të Championsit sesa me këtë përballje pas pesë muajve pauzë të detyrueshme për shkak të përhapjes së koronavirusit. Dueli mes Cityt e Realit zhvillohet në “Etihad Stadium” të premten (sot) mbrëma dhe nis në orën 21:00, kanë shkruar të enjten mediumet e huaja. Kjo është ndeshja e kthimit në kuadër të 1/8 së finales dhe skuadra e Cityt ka një epërsi ndaj Realit pas fitores 2:1 në duelin e parë të zhvilluar në “Santiago Bernabeu” në fund të shkurtit.

Real Madridi javë më parë e fitoi titullin e kampionit në La Liga pas tre vjetësh derisa City përfundoi nënkampion në Premier League. Te City janë maksimalisht të motivuar për ta mbrojtur rezultatin e duelit të parë, por edhe synojnë fitore në ndeshjen e dytë përballë Realit për të vazhduar rrugëtimin në Champions. Trofeu i vetëm që i mungon ekipit anglez është ai i Championsit dhe te City po synojnë ta kurorëzojnë këtë edicion me një triumf të tillë. Në fakt, City ka dominuar vitet e fundit në futbollin anglez nën drejtimin e Pep Guardiolas, por klubi po e kërkon suksesin në Evropë dhe këtë e pranon edhe qendërmbrojtësi Aymeric Laporte.

“City ka një punë të papërfunduar në Ligën e Kampionëve. Ne kemi folur për këtë brenda ekipit dhe trofeu i vetëm që na mungon është Championsi. Edicionin e shkuar i fituam katër trofe brenda një sezoni, por nuk arritëm edhe Ligën e Kampionëve. Kështu që, këtë vit është radha jonë për triumf në këtë garë”, ka insistuar Laporte. “Përballë kemi kampionin e Spanjës, të cilin e kemi mposhtur në ndeshjen e parë. Kështu që, besoj se mund t’ia dalim edhe këtë herë për t’u kualifikuar në çerekfinale”.

City në këtë ndeshje do të jetë pa sulmuesin argjentinas Sergio Aguero, i cili nuk ka arritur të rikuperohet në kohë nga lëndimi. Ndërkohë, Real Madridit do t’i mungojë kapiteni Sergio Ramos, që në ndeshjen e parë u ndëshkua me karton të kuq. Gjithashtu, te Reali nuk janë përfshirë në ekip as sulmuesi Gareth Bale e mesfushori James Rodriguez derisa Mariano Diaz është i vetizoluar në shtëpi, pasi rezultoi pozitiv në testet për koronavirus më parë.

“Ne e kemi parasysh se duhet të shkojmë atje për të fituar dhe këtë pikërisht do të mundohemi ta bëjmë. Natyrisht, nuk do të jetë aspak lehtë por jemi të përgatitur maksimalisht, si dhe të pushuar”, ka thënë trajneri i Realit, Zinedine Zidane.

Të premten (sot), në të njëjtën kohë luhet edhe një ndeshje tjetër e kthimit në kuadër të 1/8 së finales. Në “Allianz Stadium” të Torinos, skuadra e Juventusit e pret Lyonin. Ndeshja e parë e luajtur në Francë është mbyllur me fitoren minimale 1:0 të Lyonit. Juventusi fundjavën e shkuar u kurorëzua me titullin e nëntë rresht në Serie A dhe trajneri Maurizio Sarri pret që ekipi i tij të rikthejë rezultatin për të siguruar plasmanin në çerekfinale. Fituesi i kësaj ndeshjeje, në çerekfinale do të përballet me fituesin e duelit tjetër, Manchester City – Real Madrid. Dyshimi i vetëm te Juventusi për këtë ndeshje mbetet sulmuesi argjentinas Paulo Dybala, që pësoi një lëndim muskulor javë më parë.

“Na duhet një paraqitje e jashtëzakonshme pasi Lyoni është në avantazh dhe ka një ekip shumë solid. Do të jetë një lojë e vështirë duke pasur parasysh rezultatin e ndeshjes së parë, por ne duhet t’i qasemi me qetësi dhe përqendrim. Ne duam të vazhdojmë garën në Champions dhe besoj shumë në ekipin tim, ndonëse do të jetë e pamundur që të luajmë pa presion”, ka shtuar Sarri.

Në fakt, rifillimi i garave në Champions do të jetë paksa më ndryshe për shkak të situatës me koronavirusin. Prej fazës çerekfinale e deri në finale, do të zhvillohet vetëm nga një ndeshje dhe të gjitha në Lisbonë, në kuadër të një mini-turneu që e ka planifikuar UEFA. Finalja është e paraparë të luhet më datën 23 gusht në Lisbonë. Deri më tash, në çerekfinale janë kualifikuar katër skuadra: RB Leipzig, Atletico Madrid, Atalanta e Paris Saint-Germain.

E premte (21:00)

Man. City – Real Madrid (2:1)

Juventus – Lyon (0:1)

*Në kllapa janë rezultatet e ndeshjeve të para