E zakonshme: Rriten rastet me COVID, ministri Latifi udhëton jashtë Kosovës

12:26 / 13 Korrik 2022

U Kopjua

Ndonëse në vend ka rritje enorme të rasteve me COVID-19, kjo nuk e ka penguar minsitrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, ta bëj veprimin për të cilin është kritikuar më së shumti deri sot, të largohet nga Kosova.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se Latifi ka udhëtuar sot për në Austri, shkruan Kosova.LIVE.

Siç thotë MSH në komunikatën për media, ai atje do të zhvillojë vizitë zyrtare, ku do të ketë takime të shumta me përfaqësues të institucioneve shëndetësore në Vjenë dhe në Grac.

“Ministri Latifi, do të takohet në Vjenë me homologun e tij, z. Johannes Rauch, ku do të bisedojnë për bashkëpunimin bilateral në fushën e shëndetësisë”, tha MSH në komunikatë.

Po ashtu, në Vjenë ministri Latifi, do të ketë takim edhe më eurodeputetin austriak, z. Lukas Mandl, me mjekë dhe studentë shqiptarë në Vjenë, dhe me përsonalitete të tjera të fushës së shëndetësisë.

“Ndërkaq, në Grac, ministri Latifi, do të ketë po ashtu takime të shumta me përfaqësues të institucioneve shëndetësore, vizitë në Universitetin e Gracit, dhe klinikave në këtë qytet, takim me kryetarin e Gracit, me përfaqësues të Odës së Mjekëve, me mjekë dhe studentë shqiptarë atje, etj”, tha MSH.