In Medias Res

Editoriale

Bashkohuni me ne në rrjetet sociale

Kosovalive SH.P.K.
Rruga Vicianum, 2/1 Arberi
10000 Prishtine
Kosovë

Email: [email protected]
Tel: 038 753 465
Tel: 043 588 700

Fytyra e drejtësisë ndërkombëtare

me 27 Qershor 2020 ora 17:40

U Kopjua

Kosova dhe popullsia shumicë shqiptare, duke qenë viktimë e qeverive të Beogradit, nuk ka arritur ta ndërtojë një institucion të profesionalizuar, që në rend të parë do të merrej me ndriçimin e krimeve të luftës pa dallim etnie, e më pas të merrej me ndërtimin në mënyrë sistematike të kulturës së kujtesës. Po ashtu, e ndodhur përballë agresionit të vazhdueshëm politik të Beogradit, ka munguar një qasje e institucionalizuar dhe profesionale për përballjen kritike me të kaluarën.

Për më tepër, kjo rezistencë e brendshme e shoqërisë shqiptare me nuanca glorifikuese, qoftë edhe të gabimeve të brendshme, vjen si barrikadimi me inercion ndaj sjelljes agresive të politikës serbe në Beograd dhe i mbajtjes gjallë të idesë së Serbisë së madhe dhe të ripushtimit të Kosovës. Veç kësaj, mohimi i shtetësisë së Kosovës nga Beogradi zyrtar përbën një përpjekje për ta mohuar lirinë e shqiptarëve, për të mohuar të kaluarën dhe mbi të, vuajtjeve të tyre prej më shumë se një shekulli, respektivisht nga pushtimi më 1912/1913. Po kështu, në kulturë ballkanike është e njohur tradita e narratives së padrejtësisë dhe viktimizimit, e cila u bë shtysë për të bërë krime dhe gjenocid. Sipas kësaj narrative, kryerësit e këtyre veprave besonin se kishin të drejtë të vepronin me brutalitet dhe veprimet skajshmërisht çnjerëzore ndaj etnisë tjetër, në këtë rast kundër shqiptarëve apo popujve të tjerë që synonin krijimin e shteteve kombëtare, besonin se ishin të justifikueshme.

Personalitetet shqiptare në listën e zezë të ShBA-së dhe BE-së

Në pamundësi për të mbajtur një qëndrim ekuilibrues dhe kritik me të keqen, ShBA-ja ashtu edhe Bashkimi Evropian kanë aplikuar sanksione politike e diplomatike ndaj disa personaliteteve politike e ushtarake shqiptare, sidomos disa figura të luftës, duke i futur në listën e “zezë”, e cila kurrë nuk ishte transparente sa duhet, por edhe nuk u kontestua edhe aq zëshëm nga vetë ata që gjenden në këtë listë.

Po ashtu mjaft debatuese ka qenë edhe mënyra e themelimit të Gjykatës Speciale për Kosovën, apo siç emërohet me ligj “Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar” nga Parlamenti i Kosovës, meqë ajo do të merret vetëm me krimet e pretenduara të njërës palë, të UÇK-së. Fraza standarde që përdoret nga ndërkombëtarët është se ne do të sjellim drejtësinë dhe do të identifikojmë viktimat, por nuk do të gjykojmë UÇK-në dhe luftën e saj. Por, mbase edhe Kosova ishte vonuar për të ndëshkuar keqbërësit e mundshëm dhe për të identifikuar viktimat dhe përgjegjësit e krimeve, sepse, si në çdo rast, edhe në Kosovë mund të kenë ndodhur gjëra jo të mira, ka pasur individë të papërgjegjshëm, por ngjarjet e këtilla ishin rrjedhojë e luftës, të izoluara dhe jo platformë shtetërore. Ndërsa, tek kjo gjykatë ndërkombëtare Kosova erdhi si pasojë e Rezolutës së Këshillit të Evropës, që kërkonte hetime mbi supozimet e një senatori zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte.