In Medias Res

Editoriale

Bashkohuni me ne në rrjetet sociale

Kosovalive SH.P.K.
Rruga Vicianum, 2/1 Arberi
10000 Prishtine
Kosovë

Email: [email protected]
Tel: 038 753 465
Tel: 043 588 700

“Gjendja e njerëzve në Kosovë po bëhet përherë e më dramatike…”

me 28 Nëntor 2020 ora 22:48

U Kopjua

25 mars 1999

Diskutimi i gjendjes, konferenca e shtypit, pastaj bisedimi me z. Shtycle: zhvillimi politik; komisioni (besimi për shkak të anëtarësisë, Rihard von Vajceker); termine (në ZDF/ Eser dhe në ARD/ Christiansen ?); Shaper ?…

Këto shënime të shkurtra, jo më shumë, i kisha bërë në ditën e parë pas fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s kundër Jugosllavisë. Kjo ditë ishte mbushur përplot zhvillime, të cilat në disa gjëra sollën qartësi.

Herët në mëngjes (pas një nate tepër të shkurtër) sërish shkova në Ministrinë e Mbrojtjes. Fraksionet e Bundestagut ishin pajtuar – duke marrë parasysh prezencën e kancelarit dhe të ministrit të Jashtëm në Këshillin e Evropës në Berlin – këtë të enjte, që më fund presidenti i Bundestagut të jepte një deklaratë të shkurtër, pastaj të premten pasuese deklarata e Qeverisë të ndiqej me debat.

Gjendja drejtuese në Ministrinë e Mbrojtjes tregon qartë se brutaliteti i terrorit, përzënies nga atdheu dhe vrasjes në Kosovë po rritej. Veç kësaj, ne duhej të përgatiteshim për një dezinformim të vazhdueshëm nga Jugosllavia. Gjatë natës ishin rrëzuar tre aeroplanë jugosllavë MIG29. NATO-ja i jep këto informacione vetëm pas verifikimit dhe pasdite në konferencat e saj për shtyp. Gjatë ditës u krijuan pa u komentuar thashetheme se ishte rrëzuar një aeroplan i NATO-s. Dhe, vërtet, një aeroplani të NATO-s iu desh të bënte ulje të detyruar në Sarajevë, siç ne e dinim, për probleme teknike. Mirëpo, për të njoftuar për këtë ishte punë e NATO-s.

Njëkohësisht mora udhëzimet e para për thirrje të trilluara telefonike, të bëra familjeve të ushtarëve që ishin të stacionuara në Maqedoni, me pohimet aq të pavërteta e të paskrupullta, se i tirrte një zyrë e Bundesverit, e cila mjerisht duhej t’i lajmëronte se u ishte vrarë bashkëshorti (ose djali). Dezinformatat mbi situatën ushtarake, pandërgjegjshmëria rrenacake dhe shqetësimet e drejta në mesin e anëtarëve të familjeve, e tërë kjo, në javët që vijnë, do të kërkonte shumë, jo vetëm nga qendrat për përkujdesjen e familjeve të ushtarëve të vënë në veprim, por edhe shumë më tepër nga ushtarët dhe vetë anëtarët e tyre të familjeve.

Qysh në konferencën e parë për shtyp më 24 mars, e pastaj përherë e më shpesh, në debatet publike shfaqej pyetja se sa do të zgjasnin sulmet ajrore dhe kur do të tregonin ato efekt. Unë rregullisht tërhiqja vëmendjen se fjala ishte për caqe politike, për t’u ndihmuar njerëzve të rrezikuar për shkak të origjinës së tyre, e jo për disa tabelash kohore: “Aktivitetet ushtarake të NATO-s i shërbejnë një caku politik, pra ndaljes së një katastrofe humanitare, përkatësisht evitimit të rritjes së mëtutjeshme të saj. Çelësat për përfundimin e masave ushtarake janë në Beograd dhe në atë moment, në të cilin vjen një sinjal i qartë për këtë nga qeveria Milosheviq, që në Kosovë do të përfundohet shtypja e popullsisë dhe dëbimi i saj dhe që ekziston një gatishmëri për të nënshkruar një marrëveshje civile dhe për të garantuar vërtet implementimin e saj, mund të ndalen masat ushtarake”. Unë jam shprehur në këtë kuptim vazhdueshëm dhe kam folur me vetëdije për një marrëveshje civile, pa iu referuar bisedimeve në Rambouillet ose Paris. Sepse, për mua ishte e rëndësishme që me tërë kthjelltësinë të tërhiqja vëmendjen në parakushtet, nën të cilat do të mund të përfundonin sulmet ajrore. Kancelari, ministri i Jashtëm dhe unë ishim të një mendjeje për këtë çështje. Ne theksonim në çdo kohë që masat ushtarake kishin një cak politik dhe një humanitar. Po ashtu, që nga fillimi qartësuam se, për një fund të sulmeve, kishte kushte të qarta që duhej plotësuar nga Milosheviqi. Sepse, tashmë, debati dhe pyetjet në Bundestag – jo vetëm nga gazetarët – kishin treguar se, më së voni deri në Ditët e Pashkëve, do të vinin kërkesat për një pauzë të sulmeve ajrore. Reagimi rus – siç pritej – ishte i ashpër dhe i fortë në fjalë: ai la mundësi të hapura për një shkallëzim politik dhe diplomatik. “Unë mbetem te vlerësimi se Rusia, sikundër edhe ne, ka interes të madh për kooperim dhe që vështirësitë aktuale që paraqiten do të kapërcehen në fund nga ky interes kooperimi me Evropën”. Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ditën e djeshme, në një mbledhje urgjente, ishte marrë me sulmet ajrore të NATO-s. Rusia, Kina dhe Namibia ishin shprehur kundër NATO-s dhe masave të saj, dymbëdhjetë shtetet e tjera (më shumë ose më pak qartë) e kishin mbështetur NATO-n. Kjo madje mund të hidhte përpjetë pyetje lidhur me modalitetet vendosëse të OKB-së dhe me të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit. Mirëpo, vendosëse për javën e ardhshme do të mbetej theksimi i rolit rus në çështjet evropiane dhe botërore dhe veprimi në atë drejtim që Rusia të mos i lidhë në kohëzgjatje interesat e saj me Milosheviqin. Edhe nëse ne gjatë bisedimeve në Rambouillet dhe Paris kemi fituar përvoja të tjera, ky vlerësim mua m’u duk realitet, nga ana tjetër pa alternativë, sepse vetëm me Rusinë mund të vihej deri tek një mandat i Këshillit të Sigurimit. Mundësinë e një marrëveshjeje, unë personalisht, që nga fillimi i sulmeve ajrore, dhe duke marrë parasysh politikën dëbuese vrastare të Milosheviqit, e konsiderova si jorealiste.

 “Informatat mbi fatin e njerëzve në Kosovë nga dita në ditë u bënë më tmerruese”

27 mars 1999

Gjendja: disa informacione mbi prezencën serbo-jugosllave në Kosovë (40 000 njerëz, mbi 300 tanke, etj.; pra, shumë përmbi kufijtë për të cilët ishte bërë pajtimi në tetorin e 1998-ës). Njoftimet e para për brutalitetet e dendësuara, para së gjithash kundër intelektualëve. Shqetësimi për shkak të përpjekjes së forcave ajrore jugosllave për të hyrë në Bosnjë me dy MIG29, të dy aeroplanët u rrëzuan. Shqyrtimi: a ka rreziqe përshkallëzimi për shkak të Maqedonisë?

Moti: Moti i keq do të ndikojë në sulmet ajrore dhe masat ushtarake do të kenë më shumë të ngjarë të ndikojnë në politikë dhe opinionin publik në dritën e presionit të fortë të pritjes (suksese të shpejta dhe lëshim të vrullshëm peri në njërën anë, pauzë dhe ndalje të sulmeve ajrore në anën tjetër). Konferenca për shtyp: unë njoftoj për dyshimin të jenë vrarë para syve të nxënësve të tyre 21 mësues shqiptarë dhe fëmijët pastaj të jenë dëbuar. Pasdreke vijnë informacione të tjera për gjendjen humanitare: ajo është e shëmtuar! Pastaj një thirrje telefonike nga Walther Stutze, për shkak të Këshillit të NATO-s: siç duket, atje, në prapaskenë, fillon një debat për atë nëse do të merren para kohe caqe nga faza 3, për të ngritur kështu presionin mbi Beogradin. Unë do ta cek këtë gjatë vizitës sime të planifikuar në Qendrën Komanduese të NATO-s.

Informatat mbi fatin e njerëzve në Kosovë nga dita në ditë u bënë më tmerruese. Një kohë të gjatë ne morëm informata nga njoftimet e të dëbuarve, mirëpo edhe nga telefonatat që i bënin njerëzit e dëshpëruar në Kosovë me të afërmit e tyre jashtë shtetit. Unë nuk isha i sigurt se si do të ndikonte kjo në mendimin publik. Bashkimi Evropian kishte vënë në dijeni për mandatin e Tribunalit Ndërkombëtar për Jugosllavinë dhe kishte theksuar se askush nuk duhet të besojë se pasiguria e tanishme në Kosovë “është një maskë (…) nën mbrojtjen e së cilës mund të bëhen krime të rënda”. Përballë lajmeve, që përditë bëheshin më të këqija, për mua ishte kjo tepër pak, vërtet e drejtë por tepër e paqartë. Sipas konventave të Kombeve të Bashkuara kundër vrasjes së popullit, ishte e qartë: në Kosovë jo vetëm që po parapërgatitet vrasja e popullit, por ajo tashmë vërtet është në rrjedhë. Kriteret, të cilat i përmend konventa, përputhen tmerrësisht qartë me ndodhitë në Kosovë: parapërgatitjet, për shembull, përmes zëvendësimit të ish-shefit të gjeneralshtabit të Armatës Jugosllave, Ilia Perishiq, i cili kishte refuzuar të angazhonte ushtarët kundër popullsisë civile: brutalitetet e të ashtuquajturës “polici speciale”dhe njoftimet e para për njësitë paramilitare, të cilat qysh në Bosnjë kishin plaçkitur, dhunuar e vrarë; vrasjet e gazetarëve, mësuesve, prijësve fetarë dhe dëbimi i shtuar; urdhërimi i serbëve me banim në Kosovë që, për shkak të mbrojtjes vetjake, t`i shënojnë banesat dhe shtëpitë e tyre me një S. S’ka dyshim se kriteri, me të cilat Konventa e Kombeve të Bashkuara definon vrasjen e popullit, ishin përmbushur.(…)

“Vetëm në fundjavën e kaluar Kosovën e kishin lëshuar më shumë se 20 000 njerëz”

28 mars 1999

Në NATO, sekretari i përgjithshëm dhe kryekomandanti u autorizuan për t’i forcuar edhe më tej sulmet ajrore kundër Jugosllavisë. Në gjendjen intime në Ministrinë e Mbrojtjes, ne kishim diskutuar se çfarë pasojash sjell kjo me vete. Numri i aeroplanëve do të shtohet gjithnjë (por jo edhe numri i ECR-Tornadove, të cilët vihen në veprim kundër radarëve të armikut dhe, me këtë, për mbrojtje të aeroplanëve aleatë); prej pilotëve të aeroplanëve të forcave tona ajrore ndoshta duhet bërë më shumë fluturime se deri tash; numri i caqeve do të shtohet, kështu që sulmet kundër qendrave komanduese dhe mbrojtjes kundërajrore të Jugosllavisë do të zgjerohen me caqe në Kosovë, kundër kazermave, tankeve dhe pozicioneve të tjera, kundër rrugëve lidhëse që çojnë atje si dhe, për shembull, kundër furnizimit me municion e derivate shoshitjeve të para, për të sulmuar që tash caqe në Beograd nga e ashtuquajtura fazë 3, iu kundërvura me shikim nga këshillimet interne të NATO-s: për këtë nuk ekziston ende domosdoshmëri ushtarake, rreziku politik, edhe për shkak të dëmeve të mundshme civile, ishte shumë i lartë, mundësia politike e kanosjes dhe e realizimit të sulmeve të përforcuara (shqiptar ushtarakisht: dominimi përshkallëzues) duhet të ruhet; prandaj, caqet e veçanta nga kjo fazën e 3-të mund të përfshiheshin eventualisht në sulme ajrore në një pikë të mëvonshme kohore. Këtë koncept e realizova. Lajmet nga vetë Kosova u bënë gjithnjë e më frymëzënëse. Nëpër korridorin e ngushtë të Gorazhdës, nga Jugosllavia dhe Kosova kanë ikur brenda një dite rreth 3000 njerëz për në Bosnjë e Hercegovinë. Qysh para tërheqjes së vëzhguesve të OSBE-së, në Kosovë ishin në arrati së paku 250 000 të dëbuar, ndoshta edhe shumë më shumë. Vetëm në fundjavën e kaluar Kosovën e kishin lëshuar më shumë se 20 000 njerëz. Situata i ngjasonte asaj të tetorit 1998, kur NATO-ja ishte kërcënuar me sulme ajrore. Tash ishte realizuar ky kërcënim.

 “NATO-ja kishte vendosur që prej tash të sulmoheshin gjithnjë e më fort caqet…”

29 mars 1999

Biseda me ministrin e Jashtëm maqedonas, Aleksandër Dimitrov, qartëson se: Maqedonia nuk do të mund t`i bëjë ballë edhe gjatë valës së refugjatëve. Presioni në koalicionin e thyeshëm qeveritar maqedonas rritet. Gjatë fluturimit të përbashkët me aeroplan për në Bruksel mundohem ta bind Dimitrovin që Maqedonia, përtej garancive të sigurisë së NATO-s, do të marrë ndihmë direkt për kapërcimin e çështjes së refugjatëve.

Më parë: në gjendjen udhëheqëse ushtarake në Hardthwhe ishte folur edhe një herë për rrëzimin e një aeroplani amerikan F-117. Piloti kishte shpëtuar me parashutë dhe, pas rreth gjashtë orësh, ishte nxjerrë nga Jugosllavia nga një ekip shpëtimtar.

NATO-ja kishte vendosur që prej tash të sulmoheshin gjithnjë e më fort caqet nga faza 2 e operacioneve të planifikuara.

Gjendja e njerëzve në Kosovë po bëhet përherë e më dramatike. Ne nuk mund t’u ndihmojmë atyre atje, por vetëm atyre që ikin për Shqipëri e Maqedoni.