Haradinaj-BE-së: Faleminderit për ndërmjetësimin, koha ta dorëzoni portfolion tek Biden

13:07 / 19 Gusht 2022

U Kopjua

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar në lidhje me takimin e djeshëm ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq të mbajtur dje në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së.

Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se dialogu i deritashëm nuk guxon të zbehet e të kthehet mbrapa e të bisedohet temat e njëjta, transmeton Kosova.LIVE.

“Zbatimi i rendit dhe ligjit në tërë vendin, duhet të ndodh në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Dialogu i deritashëm nuk guxon të zbehet e të rikthehemi prapë të flasim për të njëjtat tema”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka ka shprehur mirënjohje BE-së për lehtësimin e e dialogut, por siç është shprehur ai, është momenti që BE ta dorëzojë portfolion te Presidenti Biden.

“Amerika kësaj here i dha shtytje procesit të udhëhequr nga BE dhe ndihmoi dhe e riktheu normalitetin në raportet Kosovë-Serbi. Duke i shprehur mirënjohje Bashkimit Evropian për lehtësimin e dialogut, është momenti i duhur që BE ta dorëzojë portfolion te Presidenti Biden, për marrëveshjen finale për njohje reciproke Kosovë – Serbi”, ka përfunduar Haradinaj.