In Medias Res

Editoriale

Bashkohuni me ne në rrjetet sociale

Kosovalive SH.P.K.
Rruga Vicianum, 2/1 Arberi
10000 Prishtine
Kosovë

Email: [email protected]
Tel: 038 753 465
Tel: 043 588 700

Jara, këngëtari i vrarë për muzikën e tij

me 15 Gusht 2020 ora 19:15

U Kopjua

Víctor Jara e quajti këngën e vet të mbramë sipas vendit ku ndenji në ditët e fundit: Estadio Chile, një kompleks i mbuluar sportiv në Santiago. Ai e shkroi atë më 16 shtator 1973, pesë ditë pasi grushti ushtarak i gjeneralit, Augusto Pinoçet rrëzoi qeverinë socialiste të presidentit të Kilit, Salvador Allende.

Jara u arrestua një ditë pas puçit dhe u mbajt në stadiumin që ishte shndërruar në një qendër ad hoc të ndalimit për rreth 5 mijë mbështetës të Unitetit Popullor të Allendes, transmeton KOHA.

Ka shumë përshkrime kundërthënëse për ditët e fundit të Jaras, por dokumentari i Netflixit gjatë vitit të kaluar ftilloi një narrativë mbushamendëse. Si muzikant me emër dhe mbështetës i shquar i Allendes, Jara qe njohur menjëherë gjatë rrugës së tij në stadium.

Një oficer ushtarak flaku përdhé cigaren, e detyroi Jaran të gjunjëzohej për të, e pastaj ia shymi në pëllëmbë. Jara fillimisht u nda nga të arrestuarit e tjerë, pastaj u rrah dhe u torturua në kthinat e stadiumit. Në një çast, ai kryeneçësisht këndoi “Venceremos” (Ne do të fitojmë), himni i Allendes në zgjedhjet e vitit 1970, me buzët e mbufatura.

Në mëngjesin e gjashtëmbëdhjetit, sipas një të arrestuari, ai kërkoi një stilolaps dhe një fletore ku shkroi radhët në Estadio, që më vonë do të nxirreshin jashtë stadiumit: “Sa zor është të këndosh kur më duhet të këndoj tmerrin/ tmerrin që po e jetoj, tmerrin që po vdes”.

Dy orë më vonë, ai u qëllua, pastaj trupi iu bë shoshë nga plumbat e mitralozit dhe u la në rrugë. Ai ishte 40 vjeç.

Víctor Lidio Jara Martínez as nuk këndoi në anglisht dhe as këngët e tij nuk ndikuan ndjeshëm muzikën perëndimore, por mënyra e vdekjes, heshtja simbolike e muzikës së tij, e bënë atë simbol ndërkombëtar të rezistencës: “një kryqëzim mes Bob Dylanit dhe Martin Luther Kingut”, siç thotë njëri në dokumentarin e Netflixit.

Vetë Dylani mbajti një koncert homazh në New York pak muaj pas grusht shtetit. Qysh nga ajo kohë, Jara është përkujtuar në dhjetëra këngë në gjuhë të ndryshme, më të famshmet prej tyre “The Clash’s Washington Bullets” dhe “One Tree Hill” e U2.

Tani James Dean Bradfield nga “Manic Street Preachers” ka incizuar një album të tërë mbi jetën dhe vdekjen e Jaras “Even in Exile”, krahas një serie trepjesëshe në podcastin e quajtur “Inspired by Jara”, me mysafirë si Charlie Burchill nga “Simple Minds” dhe deputetët laburistë si Kevin Brennan dhe Emma Thompson, që u orvatën prej vitesh të bënin një film biografik.

“Ai vdiq kryeneçësisht, por edhe me hijeshi”, thotë Bradfield për BBC Culture. “Secilën herë të merr frymën”. Megjithatë Bradfield deshi që këngët e tij, me lirikat e poetit dhe dramaturgut Patrick Jones, të ndriçojnë jetën e Jaras ashtu sikundër edhe vdekjen e tij.