In Medias Res

Editoriale

Bashkohuni me ne në rrjetet sociale

Kosovalive SH.P.K.
Rruga Vicianum, 2/1 Arberi
10000 Prishtine
Kosovë

Email: [email protected]
Tel: 038 753 465
Tel: 043 588 700

KANUNI

me 10 Prill 2020 ora 14:50

U Kopjua

Shkruan: Agim DOBRUNA-

Lekë Dukagjini ose Leka i 3-të (1459), bashkëkohëse bashkëluftëtar i Skënderbeut hartoi kanunin e njohur si ”Kanuni i Lekës”, me synim të cilin e ka çdo kushtetutë e ligj në botë, krijimin e një shoqërie e shteti modern!

Këto synime paraprihen nga e Drejta Romake, që njeh zbatimin më të gjatë në kohë e hapësirë. Pastaj, vijnë me radhë “Magna Karta” (1215), e cila vuri bazat e barazisë e të të drejtave të njeriut (Angli), pasuar me ngjarjen e madhe Revolucionin Francez, ku asambleja i dhuroi kombit kushtetutën (1791), pastaj atë më të veçantën, Deklaratën e të Drejtave të Njeriut (1789) e kështu me radhë deri te Kushtetuta Amerikane.

Ekziston një përmbledhje e njohur si „DushanovZakonik“, i aprovuar diku më 1349, i cili në të vërtetë është një PËRKTHIM nga përmbledhje ligjore të Perandorisë Bizantine, me disa plotësime nga jeta dhe tradita e popullit serb. Ka rreth 135 deri në 200 nene, shumëfish më pak se Kanuni i Lekes, i cili ka mbi 1200 nene. Kodi i Dushanit, një përkthim, Kanuni i Lekës një përmbledhje origjinale.

Serbët e definojnë Kodin e Dushanit si një akt civilizues, me synim të krijimit të një shteti modern. Deri këtu s‘ka asnjë të keqe…. Por çfarë ndodhë?

Kur është në pyetje Kanuni i Lekës (origjinal, pra i pa përkthyeri nga ndonjë version i huaj e me gati dhjetëfish më shumë nene e përmbajtje, që e bëjnë shumë më gjithëpërfshirës se atë të Dushanit), për serbët ky nuk është më „akti më i lartë civilizues“, por është „zloglasni Kanun Leke Dukagjinija“, në shqip „Kanuni famëkeq i Lekë Dukagjinit“.

Inteligjencia serbe, e njohur për urrejtje e albanofobi, në mënyrë të sofistikuar e bën këtë tezë si shumë të pranueshme, shumë normale. Urrejtja kundër vlerave të civilizimit njerëzor do duhej të shqetësonte edhe vet urrejtësit!

Më kujtohet një ngjarje në formë rrëfimi (për vërtetësinë e personazhit s’mund të vë “dorën në zjarr”, por unë ashtu e kam dëgjuar): Protagonist është një udhëheqës i lartë nga nomenklatura komuniste e Kosovës, personazh sa i respektuar ndoshta edhe aq i urryer, unë personalisht mendoj më shumë i respektuar.

Në një ndejë mes miqsh – e miqtë janë njerëz të besuar edhe pse sot për sot nuk jam i sigurt – në atë përbërje ishin intelektualë, njerëz të urtë, atdhetarë dhe ndonjë nacionalist, të cilët shfaqnin brengën se po rritej si shumë numri i komunistëve shqiptarë. Protagonisti i ngjarjes, një zyrtari i lartë komunist (bëhet fjalë për V. Devën) kishte thënë se nuk ka vend për shqetësim, pasi që numri i shtuar i komunistëve rritë numrin e delegatëve në Kongres (ishin fillim vitet e 70-ta, koha e amendamenteveafirmative të kushtetutës 74). „Ne kemi problem jo me numrin në rritje, por me ata komunistë shqiptarë, që po kanë sevda në këtë punë, po shohin çfarë s‘kanë nevojë të shohin e po dëgjojnë çfarë s‘kanë nevojë të dëgjojnë.”

Ngjashëm me këta sevdallinjtë e komunizmit, kishte edhe sevdallinjtë tjerë shqiptarë, që nga injoranca apo konformizmi, iu bashkëngjitën „filozofisë“ së sofistikuar serbe në anatemimin e përdhosjen e Kanunit të Lekës, kësaj vlere të civilizimit shqiptar dhe shoqërisë njerëzore. Përkundër disa të metave të tij, posaçërisht në trajtimin eksplicit që i bënte gruas, Kanuni për kohën e tij kishte vlerë të jashtëzakonshme. Më mirë një ligj, qoftë edhe i keq, se hiç ligj. Për kohën tonë ka një vlerë të jashtëzakonshme të trashëgimisë kulturore, historike e ligjore.

Ka ardhur koha e kërkim faljes që duhet drejtuar Kanunit dhe hapi i parë më duket se ndodhi kohë më parë. Poeti, eseisti, shkrimtari e veprimtari IsmailSyla botoi përmbledhjen me poezi: “Qeni i priftit nuk kafshon”. Është praktikë, që poezitë të kthehen në këngë. Kompozitorët i marrin dhe nga to kompozojnë këngë, të cilat shpeshherë ia kalojnë poezisë (gjithsesi në popullaritet, por në dijeninëtime s’kisha dëgjuar, që një kushtetutë, përmbledhje ligjesh, të përkthehej në art). Kjo i ndodhi Kanunit të Lekës. S‘mund të mos e them se u bë Kanun Poetik. Kjo përmbledhje është një kërkim–falje (e paautorizuar) për përdhosjen që iu bë Kanunit. Jo për përdhosjen nga ujku, se ujku këtë punë ka, por nga “shqiptarët me sevda”.

Të mos kesh frikë nga qeni i priftit,
Sepse e mban të lidhur në zinxhirë
Ke frikë ujkun që lëpinë mishin e vet
E të huajin e han pa asnjë mëshirë.

(Ismail Syla, pezia “Kujdes nga ujku” nga libri “Qeni i priftit nuk kafshon”)

Kjo përmbledhje poezish për Kanunin në leximin dhe përjetimin tim është një “Iliadë” e Kanunit.

Që t‘i vëmë pikat mbi i: Kanunit, si vlerë e lartë civilizimi dhe si pasuri kombëtare, t‘i kthejmë vendin aty tok tek Flamuri. Do të duhej që gjitha ato universitete shqiptare, me gjithë ato fakultete juridike, të fusin Kanunin e Lekës si lëndë krahasuese me të Drejtën Romake, ngase nuk mjafton të trajtohet vetëm si burim i të drejtës zakonore, si deri më tani. Kjo për faktin se jo vetëm tek shqiptarët, për rregullimin e marrëdhënieve juridiko-civile dhe marrëdhënieve tjera juridike, është zbatuar e drejta zakonore. Kjo e drejtë zakonore për ne shqiptarët është Kanuni i Lekës, rregullat e të cilit me qindra vjet janë respektuar e zbatuar me korrektësi. Kjo dëshmon lashtësinë e kulturës juridike shqiptare.

Sot, puna e parë që duhet bërë është „përkthimi“ dhe komentimi i tij në gjuhën standarde, për efikasitet dhe kuptim më të drejtë.