In Medias Res

Editoriale

Bashkohuni me ne në rrjetet sociale

Kosovalive SH.P.K.
Rruga Vicianum, 2/1 Arberi
10000 Prishtine
Kosovë

Email: [email protected]
Tel: 038 753 465
Tel: 043 588 700

Lavdi injorancës!

me 20 Janar 2020 ora 10:30

U Kopjua

PRISHTINË | 20 JAN 2020 | Nga Agron Hoti

Shteteve të ndryshme në Evropë dhe glob (atyre të suksesëshme) u janë dashur dekada të tëra derisa kanë krijuar rend, ligj, administrata profesionale dhe disiplinë. Ashtu sikurse sot në paqe që kërkohet meritokraci, tundimi për të ekzistonte edhe në të kaluarën, ku paqja ishte sot për nesër. Por, duke qenë se meritokracia në të kaluarën ishte jetike për të ekzistencën e një kombi, atë e kërkonte vetë mjedisi dhe rrethanat gjeopolitike të paqëndrueshme, të cilat mbretëronin në Evropë gjatë shekullit 18 deri në shekullin 20. Njerëzit e duhur në vendin e duhur janë fisnikët dhe patriotët e vërtetë që çojnë kombin e shtetin përpara.

Në Evropën e shekullit 18 deri në 20 rendi e ligji i mbështjellur me meritokraci imponoheshin shumë më shumë për shkak të realiteteve të ashpra që mbretëronin në Evropë, se sa që kishte ndonjë dëshirë të elitave politike për të transformuar shoqërinë. Kjo kulturë për mbrojtje nga armiku krijoi disiplinën institucionale dhe qytetare, ashtu sikurse kultivoi dhe bindjen ndaj kombit e shtetit. Duke qenë se Prusia përbënte bërthamën kryesore dhe ishte pararendëse e Gjermanisë së Bismarkut që çoi dhe në bashkimin e kombit gjerman, jo më kot edhe sot thuhet në zhargonin popullor gjerman “ordentlich wie ein Preusse” (i disiplinuar si një Prusian).

Nëse shikojmë historinë evropiane prej shekullit 18 deri në shekullin 20 përballemi me së paku dy lloje shtetesh: 1) shtete që para se të kalonin në demokraci krijuan, administrata efikase, rend e ligj; dhe 2) shtete që kaluan në demokraci pa krijuar sistem të avancuar burokratik dhe qeverisës. Aty ku sistemi administrativ u imponua para se të instalohej demokracia dhe e drejta e votimit të përgjithshëm, edhe sot mbizotëron disiplina institucionale dhe qytetare, ndërsa aty ku demokracia erdhi para forcimit të institucioneve shtetërore, vazhdojnë të vërehen ende modelet e sjelljes jo-disiplinore institucionale.

Pyetja që shtrohet sot është se si arritën shtetet të krijojnë rend, ligj e disiplinë para se të vinte demokracia? Pra, kërkesa si rëndom vinte nga gjendja e brishtë e sigurisë në Evropë, e cila shtrëngonte dhe orientonte resurset kombëtare drejt një elani, fryme shpëtimtare  dhe pse jo edhe ekspansionste kombëtare. Akademitë dhe universitetet ishin të parat që përhapnin idenë e rendit, ligjit dhe meritokracisë. Shteti merrte kuadrot më të mira për institucione të sigurisë dhe administratë publike të bazuara në meritokraci dhe kjo kulturë gradualisht u bë përditshmëri.

Politologu i njohur Francis Fukujama në librin e tij “Rendi politik dhe shthurja politike” bën me dije se Gjermania ia kishte dalë “të krijojë shtet ligjor (Rechtsstaat) si një platformë e suksesshme për zhvillim ekonomik” edhe pse demokracia ishte shumë larg. Ai më tej shton se Gjermania në kohën e Bismarkut arriti “të krijojë një shtet të fortë me rend ligjor shumë kohë para se të krijonte një qeveri të përgjegjshme”. E arsyet pse Gjermania krijoi një Rechststaat nuk u shtynë nga demokracia, por nga frika se ky shtet ndihej pa dalje në det dhe i kërcënuar nga rivalë të fuqishëm siç ishin Franca, Anglia dhe Rusia. Lufta,  siç thotë Fukujama, “krijon stimuj për qeveri efektive, meritokratike, që aktiviteti i zakonshëm ekonomik nuk i bën dot, prandaj ajo është një rrugë e rëndësishme dret modernizimit të shtetit”.

Por, nuk duhet harruar asnjëherë se kjo frymë e militarizmit psikologjik, social dhe politik, sipas Fukujamës ka prodhuar edhe pasoja fatale për njerëzimin. Nënshtrimi ndaj shtetit deri në përmasat e fashizmit dhe nazizmit ka qenë njëra nga pasojat tragjike të saj. Prandaj, nëse kjo frymë ka qenë efikase në instalimin e efikasitetit të shtetit, ajo poashtu ka qenë edhe me pasoja “apokaliptike” në nënshtrimin total të individëve ndaj urdhrave dhe vendimeve shtetërore. Kjo kulturë autoritariste, i ka bjerrë potencialet e brendshme njerëzore, morale dhe qytetare për rezistencë ndaj tendencave e anti-demokratike që kohë pas kohe i ka manifestuar shteti.

Kjo edhe është arsyeja pse Gjermania deri pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur u pushtua nga aleatët, nuk ka mundur të ndërtojë një demokraci normale. Poashtu, për dallim nga Greqia dhe Italia, të cilat Fukujama i veçon si rast “të afirmimit të demokracisë para forcimit të shtetit”, ai merr edhe raste të tjera si SHBA-në dhe Britaninë si vende që në fazat e tyre embrionale kanë pasë “demokraci para së të konsolidohet shteti”. Edhe pse këto vende kanë qenë të pushtuara nga patronazhi dhe klientelizmi, megjithatë ia kanë dalë që gradualisht ta çlirojnë shtetin nga kjo logjike dhe rreth vicioz. Pra, që i bie se nëse në fillim është instaluar demokracia, klientelizmi dhe korrupsioni në SHBA e Britani jo domosdoshmërisht mund të kenë qenë fataliteti i tyre. Ekziston mundësia që këto deformime të kurohen, por vetëm nëse ka vullnet politik edhe nëse demokracia i paraprinë shtetit.

Pyetja që na intereson neve shqiptarëve është pse nuk arritëm të krijojmë rend, ligj e disiplinë sikurse vendet perëndimore? A ishim të shtrënguar dhe detyruar nga pushtuesit për të forcuar institucionet e sigurisë, përmes të cilave më pastaj do të mund të krijonim rend, ligj e disiplinë? A kishim Akademi e Universitete që do ndërtonin frymën dhe prodhonin kuadro profesionale, përmes të cilëve do të ndërtonim meritokraci në të gjithë sektorët e mundshëm, e cila më pastaj gradualisht do të mund të ngulitej thellë te masat e gjera popullore duke mbjellë disiplinë? A ishte mungesa e një shteti të përbashkët pengesa kryesore ku kjo frymë do të mund të zbatohej në praktikë?

Të gjithë e dimë që demokracia te shqiptarët – ashtu sikurse te italianët, grekët dhe tërë Ballkani – erdhi para rendit dhe ligjit. Nëse Italia dhe Greqia edhe sot sipas Fukuyamës janë shtete “patronazhi dhe klientelizmi”, as për Ballkanin s’mund të nxirren përfundime tjera. Edhe ato Akademi e Universitete që krijuam në Kosovë e Shqipëri s’kanë arritur të bëjnë sa duhet për të kapitalizuar dijen e përbashkët në funksion të kombit dhe shtetit të përbashkët – diçka që as sot se bëjnë. Më shumë prodhon dokumente shkencore një apo dy OJQ të marra së bashku se sa akademitë e Kosovës dhe Shqipërisë. Asnjëherë këto dy ‘maja’ të dijes kombëtare s’kan pasur guximin t’i paraprijnë prosperitet kombëtar. Aq margjinale duken sot këto institucione kinse akadamike, sa shumë qytetarë as që dinë për ekzistencën e tyre.

Në mungesë të frymës akademike, shqiptarët – për aq sa mundën dhe lejuan rrethanat – u munduan që duke zgjedhur bijtë dhe bijat më të mira t’iu bënin ballë së pari pushtimeve të huaja, e pastaj me atë disiplinë ushtarake të fillonin disiplinën shtetërore me qëllim të krijimit të rendit, ligjit dhe disiplinës. Edhe pse kishim Shqipërinë shtet pa ndërpreje prej 1945, diktatura që u instalua aty, si dhe mbetja jashtë e më shumë se gjysmës së popullit shqiptar, bënë që të mos arrinim atë disiplinë ushtarake fisnike dhe patriotike për të ndërtuar rend, ligj e disiplinë siç bënë vendet perëndimore. Fazën e industrializmit intenziv nuk arritëm ta kapim siç bënë shtetet e Evropës Perëndimore për të ndarë punën dhe për të krijuar disiplinë në punë. E sa për qëllime ekspansioniste as që menduam ndonjëherë. E kjo ndoshta ka qenë fatëkeqësia jonë më e madhe dhe më e pafalshme historike, krahasuar me pothuaj të gjitha kombet tjera evropiane, të cilat fuqinë ekspansioniste e kishin në themel të komb-formimit dhe komb-fuqizimit të tyre.

Pa marrë parasysh suksesit nëpër beteja të caktuara të luftërave tona çlirimtare, përfitimet e përgjithshme kanë qenë gjithmonë të pjesëshme. Edhe nëse fituam luftëra, qëllimin madhor, pra bashkimin, kurrë se arritëm. Duke qenë se nuk arrinim të vetë-qeveriseshim si komb brenda një shteti të vetëm, asnjëherë s’ia kemi dalë të fusim disiplinë fisnike dhe patriotike të koordinuar mes masave të gjera popullore. Aq shumë na është përbrendësuar tradita e hezitimit ndaj pushtetit si rezultat i pushtimeve, saqë kjo vazhdon të ekzistojë edhe sot edhe pse në zbehje. “Arnaud” quheshin shqiptarët gjatë perandorisë osmane, emër ky që tregonte mosbindje ndaj Sulltanit.

Shqiptarët e ish-Jugosllavisë u mobilizuan për aq sa mundën për ta sfiduar shtetin jugosllav. Qëllimi ishte që pavarësisht çmimit të mos zbatohej ligji i imponuar jugosllav në tokat shqiptare derisa kjo të ishte mundshme. Pavarësisht se jo të gjithë iu përgjigjen këtij mobilizimi, “shkelja” e ligjit jugosllav deri në rrënimin përfundimtar të tij u arrit relativisht mirë. Pikërisht pse në Jugosllavi u ‘inkuadruam’ pa vullnetin tonë politik dhe na mungonte liria e barazia, e ‘shkelnim’ ligjin jugosllav që të çliroheshim për të krijuar shtetin tonë. Por, kur u çliruam harruam që rendi e ligji i mbështjellë me meritokraci ishte interes jetik i shtetit tonë.

Pra, duke mos qenë në gjendje të jetojmë në një shtet të vetëm, jemi zhvilluar nëpër realitete të ndryshme. As gjestikën e mimikën nuk i kemi të unifikuara. Ndryshe pohohet me kokë në Kosovë e ndryshe në Shqipëri. Ndryshe i lëvizim duart kur flasim në Kosovë e ndryshe në Shqipëri. Nuk kemi arritur të ndërtojmë konsensus kombëtar për pothuaj asgjë. Kemi dallime të theksuara për të kaluarën tonë, të tashmen dhe me siguri edhe të ardhmen. Varësisht prej kalkulimeve të ulta ditore, figura të caktuara aktuale e historike, paradite i quajmë tradhtarë, e pasdite patriotë. Duke pasur rrallëherë si qëllim më vete të përgjithshmen para të veçantës, kemi krijuar një realitet, ku injoranca mbizotëron diskursin tonë të përditshëm. Pothuaj secili quan secilin antishtiptar.

Dukuria e së pjesëshmes para së përgjithshmes mbizotëron edhe sot përditshmërinë aktuale politike jo vetëm në Kosovë, por gjithandej trojeve shqiptare. Më së lehti është të gjesh pika që na ndajnë se sa që na bashkojnë. Kjo kulturë e të menduarit kaotik është instaluar edhe nëpër institucione shtetërore. Gjëja më e vështirë – nëse e pamundshme – është punësimi meritokratik në institucione publike. Hiq më mirë – nëse jo edhe më keq – nuk është sektori privat. Ky i fundit rrallë u zhvillua nga njerëz të shkolluar e profesionistë siç rëndom ndodh në perëndim, por kryesisht nga njerëz të lidhur me politikën, të cilët pavarësisht deficitit të theksuar intelektual e profesional, drejtojnë biznese politike të fuqishme.

Është e pafalshme që spektri politik në Kosovë dhe Shqipëri vazhdimisht ka promovuar injorancën në shkallë të gjerë, duke filluar së pari me përbërjen e spektrit politik si strumbullarin e injorancës, shumicën e institucioneve publike, kontrollin politik të sektorit privat, ndikimin në shoqëri civile dhe media. Është  e vështirë të gjesh zyrtarë/e të administratës publike e private në Kosovë, e qe besa deri diku edhe në Shqipëri, të shkruajnë mirë shqip si kushti bazik për punë në administratë. Përderisa në Gjermani e Francë zyrtarët publikë e privatë mbajnë fjalorë drejtshkrimi nëpër tavolinat e punës, një fenomen i tillë në Kosovë e Shqipëri është i panjohur.

Punësimi i shumicës së administratës publike e private “me lidhje” dhe “me të njofshëm” ka krijuar asi pat-pozicioni në Kosovë e Shqipëri sa askush nuk mund t’i kërkojë llogari askujt. Promovimi i injorancës s’është ndryshe, kur sheh zyrtarë/e të shumtë që nuk janë në gjendje ta formulojnë si duhet as edhe një dokument admistrativ shtetëror pa shumë gabime. Fati i Kosovës dhe Shqipërisë është që cilësinë e dokumenteve institucionale e rregullojnë, për aq sa kanë hapësirë, donatorë të shumtë përmes projekteve të shumta, se përndryshe do të ishte i panumërt numri i dokumenteve me defekte nga më qesharaket, edhe pse ka shpesh të tilla. E promovimi i injorancës natyrshëm i ka hapur rrugën korrupsionit, antivlerave dhe deformimeve sociale në tërë hapësirën shqiptare.

Do të jetë shumë e vështirë dhe do të merr shumë kohë derisa spektri politik në Kosovë e Shqipëri të vetëdijësohet deri në atë masë, sa për të filluar promovimin e dijes dhe profesionalizmit në funksion të interesit të përgjithshëm para çdo interesi të pjesëshëm. Do të merr shumë kohë deri sa ta kuptojmë që arsimi cilësor i hap rrugë e prosperitet çdo kombi e shteti.

Nëse i referohemi librit “Post Capitalist Society” të autorit Peter F. Drucker e kuptojmë se ajo që rrit produktivitetin ekonomik në shekullin 21 do të jetë “dija”. Autori tutje duke thënë që “industritë që janë futur në qendrën e ekonomisë së 40 viteve të fundit si biznes e kanë prodhimin dhe shpërndarjen e dijes e informacionit, para prodhimit dhe shpërndarjes së objekteve”. Parashikimet e Drucker dhe rezultatet e PISA-s flasin më së miri për nevojën e reformimit të sistemit arsimor në Kosovë, efektet e të cilit do të ndiheshin në të gjithë sektorët shtetërorë.

Tjera nga Editoriale