In Medias Res

Editoriale

Bashkohuni me ne në rrjetet sociale

Kosovalive SH.P.K.
Rruga Vicianum, 2/1 Arberi
10000 Prishtine
Kosovë

Email: [email protected]
Tel: 038 753 465
Tel: 043 588 700

MASH-i shqyrton rikthimin në shkolla ose mbajtjen e mësimit në distancë në shtator

me 29 Qershor 2020 ora 20:13

U Kopjua

Rreth dy muaj para se të nisë viti i ri shkollor 2020/2021, Ministria e Arsimit ka formuar grupe punuese për përgatitjen e një plani që do të ketë dy opsione, rikthim në shkolla apo vazhdim të mësimit nga distanca. Kabineti i ministrit të Arsimit, Ramë Likaj, e ka konfirmuar për “Kohën”, se vendimi do të merret bazuar në praktikat e vendeve të tjera.

Sipas përgjigjes më shkrim thuhet se plani A do të jetë që nëse rihapen institucionet arsimore, të merren të gjitha masat mbrojtëse në shkolla dhe të ketë informim të mjaftueshëm për nxënësit se si të mbrohen nga COVID-19. Ndërkaq plani B nëse shkollat nuk rihapen, të bëhen përgatitjet e duhura që mësimi të vazhdohet në tri komponentë: online, në distancë dhe i kombinuar.

“MASh është duke e bërë llogaritjen se sa do të jetë shuma totale për përgatitjen e shkollave për rihapje në shtator, shumë e cila duhet të kërkohet gjatë rishikimit të buxhetit, e po ashtu është në kontakt me donatorë që mund të ndihmojnë në këtë drejtim. Gjithsesi, MASh do të jetë në koordinim të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike”, thuhet në përgjigjen e MASH-it.

Ky institucion nuk ka sqaruar se kur do të dihet saktë se si do të nisë viti i ri shkollor. Përgjigje për këtë nuk kanë kthyer as në Ministrinë e Shëndetësisë.

Sipas njohësit të çështjeve të arsimit, Halim Hyseni, Ministria e Arsimit duhet urgjentisht ta hartojë planin për vitin e ri shkollor e gjithashtu të përgatisë një analizë për rezultatet e mësimit nga distanca.

Për shkak të pandemisë Covid-19 në Kosovë, mësimi në distancë ka filluar më 23 mars. Javën e kaluar është përmbyllur procesi mësimor derisa vlerësimi i nxënësve është bërë nga distanca në bazë të një udhëzuesi që e kishte publikuar MASH-i në prill të këtij viti.

Si rezultat i rritjes së numrit të rasteve me koronavirus, është shtyrë për muajin gusht edhe mbajtja e testeve të arritshmërisë dhe maturës.