In Medias Res

Editoriale

Bashkohuni me ne në rrjetet sociale

Kosovalive SH.P.K.
Rruga Vicianum, 2/1 Arberi
10000 Prishtine
Kosovë

Email: [email protected]
Tel: 038 753 465
Tel: 043 588 700

Në pritje të Ditës së Aktgjykimit, a do ta pranojë VV një vendim që s’i përshtatet?

me 18 Maj 2020 ora 18:19

U Kopjua

Për protesta tashmë janë mbajtur prova. Kryeministri në detyrë Kurti dhe lideri i VV’së thotë se nuk mund ta imagjinojë si do ta shkruajë Gjykata Kushtetuese një vendim që do t’i jepte të drejtë Presidentit për mandatimin e Avdullah Hotit për ta bërë Qeverinë.  Albulena Haxhiu nuk thotë po e as jo kur pyetet se a do ta respektojë Vetëvendosje çdo vendim të Kushtetueses. Por, cila do të jetë sjellja e partisë së Kurtit, nëse s’i pëlqen aktgjykimi? Për Gazetën Express flasin nga LVV, LDK e edhe politologu Fitim Salihu.

Kanë mbetur edhe 11 ditë deri kur Gjykata Kushtetuese mund të dalë me vendimin rreth kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje, e cila beson se dekreti i Presidentit Hashim Thaçi për mandatim të Avdullah Hotit të LDK’së, si parti e dytë, është antikushtetues dhe se duhet të ndodhë shpallja e zgjedhjeve. Për partinë e Albin Kurtit, ky është opsioni i vetëm.

Edhe pse ministrja në detyrë Albulena Haxhiu, që vjen nga radhët e Vetëvendosjes, nuk flet prerazi se a e respekton  partia e saj  çdo vendim të Kushtetueses, Kryeministri Kurti e bën të qartë se cdo vendim që nuk është sic LVV’ja po e pret, do të ishte në kundërshtim me vetë Kushtetutën e Gjykatën.

Kryeministri Kurti, kur pyetët cka nëse Kushtetuesja i jep të drejtë palës tjetër, pra mandatimit të Hotit, ai thotë se “nuk e imagjinon dot” se si do të shkruhej një vendim e tillë. 

“Unë jam super kureshtar që të shoh se si do të shkruhet një vendim i tillë. Unë nuk e imagjinoj dot se si do të shkruhej një vendim i tillë pa qenë në kundërshtim me vetë Gjykatën Kushtetuese dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Nuk ka më rend republikan dhe demokratik në Kosovë, nëse pranohet që me dekret të Presidentit të nënshkruhet Kushtetuta”, ka thënë Kurti të shtunën në T7.

A do ta respektojë LVV’ja në të vërtetë Gjykatën Kushtetuese, edhe nëse vendimi i saj nuk i përshtatet? 

Zyra për media e Vetëvendosjes ka thënë sot për Gazetën Express thotë se partia e saj në të kaluarën i ka pranuar vendimet edhe kur s’kanë qenë të favorshme për të. Por, sipas VV’së, nuk mund të pranohen ato vendime që janë edhe kundër vendimeve të mëparshme të Kushtetueses.

“Në të shkuarën ne kemi pranuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese edhe kur kanë qenë kundër qëndrimit tonë. Por, nuk mund të pranohet një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i cili është kundër vendimeve të mëparshme të vetë Gjykatës Kushtetuese për çështjen e njëjtë. Ligji dhe kushtetuta nuk mund të zbatohen me dy standarde. Jo në një demokraci”, thuhet në përgjigjen e LVV’së.

Në skenën politike nuk lexohet njëjtë aktgjykimi i Kushtetuteses i vitit 2014, ku flitet mbi atë se kush ka të drejtë të bëjë qeveri shumica parlamentare apo vetëm partia që del e para në zgjedhje.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka refuzuar ta paragjykojë Gjykatën Kushtetuese, ndërsa ajo beson në integritetin profesional të gjykatësve të Kushtetueses.

“Do të mund të përgjigjem vetëm kur ta kemi atë aktgjykim. Besoj shumë në integritetin profesional të këtyre gjykatësve. Në momentin që do të kemi një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese, gjithçka tjetër do të varej nga ajo përgjigje”, ka thënë Osmani.

Zyrtari i lartë i LDK’së, Arban Abrashi, i ka thënë Gazetës Express se respektimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese është parim themelor i demokracive të Evropës, e sipas tij, LVV po shpreh dyshime në respektimin e një aktgjykimi të mundshëm të Gjykatës Kushtetuese.

“Po flasim për një parim themelor te Demokracisë, kurse këto ditë, deklarimet e zyrtareve të VV-së, fatkeqësisht shfaqin dyshime e hamendësime për respektimin e aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese per mandatarin Hoti”, ka thënë Abrashi.

“Çka mund them është se ata që nuk respektojnë Gjykatën Kushtetuese si organ, nuk respektojnë aktgjykimet e saj, thjesht tregojnë se po veprojnë jashtë rendit kushtetues, e kështu dëmtohet seriozisht sistemi Kushtetues e njëkohësisht edhe shteti i Kosovës”, ka thënë anëtari i kryesisë së LDK’së.

Politologu Fitim Salihu ka thënë për Gazetën Express se nuk mund të përjashtohej një reagim negativ i VV’së nëse nuk i pëlqen vendimi i Kushtetueses, edhe pse, sipas tij, është e padrejtë të paragjykohen sjelljet e kësaj partie.

“Njëlloj siç është e padrejtë të paragjykohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, po aq e padrejtë do të ishte të paragjykohej edhe sjellja e Vetëvendosjes kundrejt atij vendimi. Megjithatë, duke marrë parasysh të kaluarën, nuk mund të përjashtohet një reagim negativ nga ana e Vetëvendosjes, e cila gjer më tani ka reaguar ndaj vendimeve të GjK-së në mënyrë selektive. Varësisht nëse i kanë konvenuar asaj ose jo, Vetëvendosja herë i ka lavdëruar e herë i ka refuzuar ato vendime”, ka thënë Salihu.

Për politologun është ‘tragjikokomike’ fakti që ministrja Albulena Haxhiu, që udhëheq dikasterin e Drejtësisë në Qeveri, ka refuzuar të pohojë se respekton çfarëdo vendimi të institucioneve të drejtësisë.

“Unë shpresoj që Vetëvendosja do të tregojë shenja maturimi prej një partie normale. Kjo parti dhe lideri i saj duhet të mësojnë të sillen në mënyrë institucionale dhe konstitucionale. Përndryshe, duhet cekur se është tragjikomike kur e dëgjon një ministre të Drejtësisë që refuzon ta pohojë se do ta respektojë vendimin e organeve të drejtësisë. Kur vetë ministrja e Drejtësisë (ose kryeministri) nuk i respekton vendimet e organeve të drejtësisë, si mund ta bindësh një qytetar të thjeshtë t’i zbatojë ato?”, ka thënë Salihu.

Ministrja Haxhiu, ka refuzuar të përgjigjet prerazi nëse partia e saj e respekton secilin vendim të Kushtetueses.

“Pyetje shumë e vështirë… Megjithatë unë po them që nuk mund të përgjigjem me po ose jo, sepse gjithmonë parapëlqej të flasim për përmbajtje”, ka thënë ministrja Haxhiu.

E sfiduar nëse po vihet në pikëpyetje respektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ajo sërish ka thënë se nuk mund të përgjigjet me po ose jo.

“Jo, por është shumë formale ta kërkosh një përgjigje me po ose jo. Unë po shpjegoj disa herë, kudo, të gjitha argumentet tona juridike. Tash nuk i ndihmon Gjykatës Kushtetuese për një situatë të njëjtë të vendos ndryshe dhe për një situatë të njëjtë të vendos ndryshe”.

Në vend është paralajmëruar mbajtja e një proteste, me të cilën aktivistë kërkojnë që vendi të shkojë në zgjedhje. Të njëjtën kërkesë e ka Lëvizja Vetvëvendosje, ndonëse kjo parti ka mohuar se ka thirrur ndonjë protestë, ose provën për protestë, ku ishin mbledhur rreth 400 veta në sheshin e Prishtinës, javën e kaluar.

Presidenti Hashim Thaçi ka mandatuar Avdullah Hotin e LDK’së për ta formuar Qeverinë, pasi ka konsideruar se LVV nuk i është përgjigjur kërkesës së tij për propozim të emrit të ri për kryeministër, pas rrëzimit të Albin Kurtit më 25 mars.

Pas publikimit të dekretit të presidentit për mandatim të Hotit, Lëvizja Vetëvendosje e ka dorëzuar në Gjykata Kushtetuese këtë vendim të Thaçit, duke e konsideruar se ka anashkaluar partinë e Kurtit, si fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dekretin e Presidentit dhe pritet që deri më 29 maj të dalë me aktgjykim rreth kësaj cështjeje.