In Medias Res

Editoriale

Bashkohuni me ne në rrjetet sociale

Kosovalive SH.P.K.
Rruga Vicianum, 2/1 Arberi
10000 Prishtine
Kosovë

Email: [email protected]
Tel: 038 753 465
Tel: 043 588 700

Nuk ka asnjë arsye të mos bëhet koalicioni ndërmjet LVV-së dhe LDK-së

me 20 Dhjetor 2019 ora 15:05

U Kopjua

Shkruan Bexhet Shala

Ku janë dallimet midis LVV dhe LDK : Në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 u bë një revolucion votues me ç’rast Lëvizja Vetëvendosje ! doli  fitues absolut. Tjetër gjë është që me improvizime të mëvonshme iu morën tre deputetë por se edhe pas kësaj askush nuk mund ta kontestojë fitoren e LVV , pavarësisht nëse pajtoheni apo nuk pajtoheni me partinë e drejtuar nga Albin Kurti. Më heret kam qenë përkrahës i madh i LVV pikërisht sepse ofronte një mundësi për bashkim të trojeve shqiptare dhe bashkim me Shqipërinë që ishte dhe është kërkesa më normale e mundshme për një subjekt politik në Kosovës. Në një kohë LVV ishte opozitë e vetme e sjelljeve kolonialiste që e zbatonin ndërkombëtarët , pa asnjë kundërshtim serioz sikur që me kohë i identifikoi disa çështje dhe probleme me të cilat përballej Kosova . Natyrisht se nuk kishte mundësi t’i pengonte këto procese por se i vonoi e që ishte pozitive. Ka kohë që i kemi ndarë rrugët politike por se kjo nuk nënkupton se LVV nuk duhet të përkrahet nëse punon mirë dhe drejtë për qytetarët dhe vendin . Ka mendime se LVV do të ketë sukses në qeverisje ndërsa që ka mendime se do të bëhet kopje e qeverisjeve të mëparshme . Premtimet janë shumë të mëdha sikur  që edhe pritjet janë ndoshta edhe më të mëdha . Sido që të jetë , ky koalicion midis LVV dhe LDK duhet të përkrahet 100% , deri në kohën kur me veprimet apo mosveprimet do e vënë në dyshim këtë përkrahje. Për herë të parë pas përfundimit të luftës në Kosovë e kemi një situatë ku bërja e koalicionit më shumë është çështje teknike aq më parë që për koalicionin LVV – LDK po flitet me vite , sikur tregimet e 1001 netëve. Dikush po e quan koalicion të shpresës , koalicion të besës, koalicion të ndryshimeve apo koalicioin të rendit dhe të zbatimit të ligjit. Për rrethana aktuale duket më shumë utopike se që mund të realizohen këto premtime ! Po shkojmë radhazi :

  1. Faktori ndërkombëtar : Faktori ndërkombëtar që vranë dhe nuk kthjellë në Kosovë , më heret e përjashtonte LVV nga çdo kombinim të përfshirjes në pushtet duke bërë presion te subjektet politike të mos bëjnë koalicion me këtë parti. Edhe takimet me këtë parti që e konsideronin si ekstremiste dhe pengues për realizimin e projekteve politike ishin të nivelit tretësorë apo edhe më të ulëta. Tash , po ky faktor ndërkombëtar po bënë presion që të bëhet koalicion vetëm midis LVV dhe LDK-së duke e injoruar krejtësisht krahun e luftës duke ia vënë pas një gjykatë raciste siç është kjo Gjykata Speciale.
  2. Faktori ndërkombëtar po tregohet shumë pragmatike por aspak praktike duke e përjashtuar , penalizuar dhe kriminalizuar krahun e luftës i cili nuk është se nuk ka faje por se nuk mund ta bartë kryqin e përgjegjësisë për të gjitha të këqijat dhe dështimet në Kosovë.
  3. Faktori ndërkombëtar ka mungesë të skajshme të ndjesisë për viktimat shqiptare për faktin se kërkon përgjegjësi dhe drejtësi vetëm për viktimat e pakicave mos të them të viktimave serbe që është në kundërshtim të plotë me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara që e promovon dhe sanksionon parimin e universalitetit në fushën e të drejtave të njeriut.
  4. Dallimet politike dhe ideologjike midis LVV dhe LDK janë të mëdha prandaj edhe mund ta prodhojnë një program qeverisës të pazbatueshëm.
  5. E kaluara e atyre që janë në kyre të LDK -së dhe LVV –së është diametralisht dalluese dhe konfrontuese prandaj po ka vështirësi.
  6. Partnerët e ardhshëm qeverisës nuk e kanë asnjë pengesë nga opozita , qoftë për formimin e institucioneve apo funksionalizimin e tyre , përkundrazi po inkurajohen që të funksionalizojnë këto institucione sa më parë të jetë e mundshme.
  7. Partitë opozitare , PDK dhe AAK janë treguar shumë praktike dhe të drejta duke pranuar rezultatin e zgjedhjeve dhe duke u deklaruar si opozitë konstruktive sikur edhe duke mos pranuar në asnjë mënyrë apo formë të bëhen pjesë e pushtetit. Nisma për Kosovën , që në fillim ka treguar vullnet dhe gatishmëri të bëhet pjesë e pushtetit duke deklaruar se : “ pa ta nuk mund të formohet qeveria …. “ e që paraqet njëfarë kërcënimi.
  8. LDK , që në fillim ishte deklaruar se është për bashkqeverisje me LVV dhe se nuk do të ketë problem në disajnimin e qeverisë. Mendoj se këtë e deklaruar para zgjedhjeve duke qenë e sigurt se do të dali fituese aq më parë që sondazhet e varura dhe të pavarura e nxirrni si fitues të zgjedhjeve . Kjo ishte edhe arsyeja kryesore pse nuk bënë koalicion parazgjedhorë .
  9. Përkundër deklarimeve se duan të qeverisin bashkë me LVV e që është një deklaratë për përdorim të jashtëm dhe maskim i një përmbajtjeje tjetër , një pjesë e madhe e lidershipit të moçëm të LDK –së tmerrohet me faktin që do të jenë nën urdhërat e Albin Kurtit dhe të tillë ka edhe në mesin e “ jeni skifterëve “ të LDK-së që duan ta marrin partinë , pa derdhur asnjë pikë djerse e lëre më gjaku siç e kanë pësuar disa udhëheqës të LDK-së që po e kundërshtojnë margjinalizimin e tyre.
  10. Realisht , në rrethanat aktuale shantazhimi dhe kushtëzimi po e zëvendësojnë parimin e partneritetit prandaj ka filluar të zbehen shpresat për ndryshime. Nuk ka logjikë e as standard demokratik ta luftoni kapjen apo të bëni përpjekje për çkapje nëse vet angazhoheni për rikapje , duke e injoruar çkapjen. Kushtëzimi nga LDK për postin e presidentit që të përfshihet në marrëveshje është përpjekje flagrante për kapje sepse doni , në mënyrë kundërkushtetuese ta kapni postin e presidentit e që nuk ndodhë në asnjë vend demokratik në botë. Nëse LVV i nënshtrohet këtij kushtëzimi apo pranon të diskutojë për këtë post , atëherë edhe LVV do të jetë kapëse e pushtetit apo pjesëmarrëse në shkelje të Kushtetutës . Shpresoj se LVV nuk do ta bëjë këtë .
  11. Nuk e kuptoj pse LDK-së apo LVV –ë do të duhej , sipas një automatizmi t’i takojë posti i presidentit prandaj duhet të përjashtohet çdo bisedë për postin e presidentit.
  12. Edhe nëse arrihet një pajtim eventual midis partnerëve për postin e presidentit , askush nuk mund të garantojë se në vitin 2021 të gjithë deputetët e LVV do të votojnë për kandidatin  e LDK-së( Isa Mustafa ) për president. Edhe me rastin e Hashim Thaçit , ndonëse ishte një marrëveshje , nuk votuan të gjithë deputetët e LDK-së për Hashim Thaçin , president i Kosovës !

Pse LDK-ë po këmbëngul për postin e presidentit : Posti i presidentit në Kosovë nuk është thjesht përfaqësues dhe protokolar , ka më shumë kompetenca se që e parasheh Kushtetuta. U përmenden disa emra që qarkulluan në rrjetet sociale e që u demantuan menjëherë. Duket se ky post është i rezervuar për Isa Mustafën , pa asnjë dyshim ndonëse emri po mbahet sekret. Doli një propozim që , si kompromis të jetë emri i Vjosa Osmanit e që do të ishte vetëm vulosje e kapjes së shtetit dhe pushtetit . Vjosa Osmani është e LDK-së dhe nëse LVV është parimore nuk duhet ta pranojë asnjë kandidat partiak apo duhet të pezullojë çdo bisedim për postin e presidentit , deri në momentin kur të vjen koha të zgjidhet presidenti. As në monarkitë më stabile apo diktaturat më të egra nuk ka garancion se dikush do të zgjidhet në atë post kur ai dëshiron apo kur e pëlqen partia ! Presidenti i Kosovës duhet të zgjidhet nga Populli , me votë të drejtpërdrejtë e jo me pazare politike . Pikërisht kjo mënyrë e të zgjedhurit të presidentit kanë instaluar në këtë post persona krejtësisht jokompetent , analfabetë politikë , zvarranikë dhe , madje edhe të tillë që kanë punuar kundër intereseve të qytetarëve dhe të vendit . Kanë qenë marioneta të vendosura , që , më shumë na kanë turpëruar dhe dëmtuar , se që na kanë përfaqësuar.

Në anën tjetër , nëse LVV e pranon kapjen përmes rezervimit të postit të presidentit për LDK , LVV apo ndonjë kandidati tjetër , kushdo qoftë ai , humbëse më e madhe do të jetë pikërisht LVV. Pse ?

Nëse LDK e merr postin e Ministrisë së Punëve të Brendshme kurse LVV ate të Ministrisë së Drejtësisë dhe nëse rezervohet posti i presidentit për LDK-ë , LVV do të jetë humbëse e madhe dhe reformat në fushën e drejtësisë do t’i ngjajnë një karikature . Presidenti i Kosovës ka aksione 50% në AKI dhe shefin e AKI –së , 50% aksione në Rrahman Ramën si komandant i FSK-së , 100% aksione në Prokurorin e Shtetit dhe prokurorët specialë dhe jospecialë , është përcaktues për dekretimin e gjykatësve dhe kreun e Gjykatës Kushtetuese , ka ndikim , së paku 50% në emërimin e stafit diplomatik në Ministrinë e Punëve të Jashtme atëherë Ministrai e Drejtësisë do të shndërrohej në letër pa vlerë dhe çdo reformë do të varej nga të tjerët.

Me Kushtetutë , edhe posti i kryetarit të Kuvendit i takon partisë fituese , LVV prandaj LDK duhet ta pranojë si vullnet të mirë nga ana e LVV që po ua dhuron këtë post.

Ndarja e posteve qeveritare 50 % me 50 % është veprim shumë korrekt i LVV dhe LDK duhet të jetë mirënjohëse sepse nuk i ka fituar zgjedhjet . Sipas standardit demokratik , fituesi i zgjedhjeve i përcakton kushtet kurse sipas parimit të shantazhimit dhe kushtëzimit ai që ta : “ zë bishtin me derë i përcakton rregullat dhe kushtet “. Në këtë mënyrë po vepron LDK që nga viti 2005 kur vazhdimisht ishte humbëse e zgjedhjeve por asnjëherë nuk mbeti pa pushtet dhe ka qenë pjesë aktive e kapjes së pushtetit dhe dhunimit të shtetit , herë me PDK e herë me AAK.

Tash , është shumë e pandershme dhe moralisht e paapranueshme që partneritetin ta zëvendësoni  me kushtëzim se : “ nëse nuk bëjmë marrëveshje si duam ne , kalojmë në opozitë …” apo se LVV ka detyrim të formojë institucionet duke ua pamundësuar këtë skajshmërisht pandershëm me kushtëzime . Në rastin konkret , shumë më korrekte po tregohen partitë opozitare që po kërkojnë formimin e institucioneve , pa e kushtëzuar me asgjë , se LDK , e rënë në dashuri kokë e këmbë me veten e saj dhe duke jetuar nga e kaluara përkatësisht duke e keqpërdorur edhe personalitetin dhe varrin e Ibrahim Rugovës . Nëse duan ndryshime , e kanë rastin , le t’i formojnë institucionet dhe le t’i grahin punës . Nëse punojnë mirë , vet populli do të kërkojë që presidenti të zgjidhet nga radhët e këtyre dy partive që , herë po duhen me një pasion të madh , kurse që nesër po e shajnë njëra – tjetrën duke ua kujtuar shishet Molotov , sulmet me gaz lotsjellës , ve të ziera dhe të paziera etj. Faktori ndërkombëtar , sidomos BE edhe tërë hipokrizinë që e kanë zbatuar që nga përfundimi i luftës duke e shndërruar Kosovën në geto dhe duke gënjyer për liberalizim të vizave , nuk do të lejojë zgjedhje të reja sepse i tërë suksesi i tyre përmbledhet , jo në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar por në vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshjeje në kushte poshtëruese për Kosovën. Pas deklarimeve të Vuçiqit , Daçiqit , Vulinit dhe Marko Gjuriqit për masakrën në Reçak dhe masakrat tjera , çdo politikan shqiptar që takohet me këta kriminelë , në këto kushte dhe në këto rrethana , i bënë të ngjashëm me ta . Faktori ndërkombëtar , i brengosur thellë për dënimin e një çetniku që ka abuzuar me Buxhetin e Kosovës e që ka punuar për Serbinë , duke e mbrojtur në heshtje dënimin e mbulon me një mbështjellës  moralisht dhe faktikisht të paqëndrueshëm : “ përpjekje për kriminalizim dhe penalizim të lirisë së fjalës dhe lirisë së shprehjes …”. Çfarë poshtërsie dhe dhunim i varreve dhe viktimave !

Dhe krejt në fund ; kur Italia e Benito Musolinit pati vendosur t’i shpallë luftë Greqisë , si casus belli e ka përdorur faktin se Greqia e paska vrarë një qytetar të Shqipërisë , një bari me emrin Qamil Hoxha. Edhe unë pajtohem që kjo ka qenë arsye e jashtëzakonshme dhe e parefuzueshme që Italia t’i shpallë luftë Greqisë.

Edhe ne e kemi rastin shumë të volitshëm dhe të pashmangshëm t’i shpallim luftë Serbisë ; jo për të zezat që na i ka bërë dhe po i bënë ende por për faktin se Aleksandar Vulin na ka prekur në moral dhe dinjitet kombëtar ; e ka quajtur ( Z ) Edita Tahirin , stara baba apo gjyshe e vjetër …”. Çka është shumë , është shumë ! Nuk durohet më !