Oda Ekonomike Amerikane thërret për arritje të kompromisit për rinisje të procesit mësimor

09:39 / 23 Shtator 2022

U Kopjua

Oda Ekonomike Amerikane ka reaguar për situatën e krijuar në sektorin e arsimit dhe grevën që po vazhdon nga ana e mësimdhënësve.

Me anë të një komunikate për media, Oda Amerikane është shprehur e shqetësuar në lidhje me situatën e krijuar.

“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me vazhdimin e grevës së mësimdhënësve të sektorit publik në javën e katërt të fillimit të vitit shkollor, si dhe mungesën e vullnetit për gjetje të kompromisit që do t’i jepte fund grevës”, thuhet në thirrje e Odës.

Sipas këtij institucioni, mosmbajtja e mësimit çon në pasoja shumëdimensionale në shoqërinë kosovare.

“Në anën tjetër, duke shprehur konsideratë për kërkesat e përfaqësuesve të mësimdhënësve e të cilat lidhen me vështirësitë e përballimit të kostove të ngritura të jetësës, Oda Ekonomike  Amerikane thërret për demonstrim të gatishmërisë për arritje të kompromisit, me qëllim të rinisjes së procesit mësimor dhe lejimit të së drejtës për edukim për fëmijët kosovarë”, thuhet në njoftim.

Komunikata e plotë nga Oda Amerikane:

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me vazhdimin e grevës së mësimdhënësve të sektorit publik në javën e katërt të fillimit të vitit shkollor, si dhe mungesën e vullnetit për gjetje të kompromisit që do t’i jepte fund grevës.

Mosmbajtja e mësimit në sektorin publik çon në pasoja shumëdimesionale në shoqërinë kosovare, përfshirë edhe performancën akademike të nxënësve.

Migrimi i madh i popullsisë përgjatë viteve të fundit – konfirmuar edhe nga institucionet vendore por edhe ato ndërkombëtare- si reflektim i zhgënjimit social dhe të kërkuarit të prespektivës për jetë më të mirë jashtë vendit,  përkeqësohet më tej në situatën aktuale ekonomiko-sociale nëpër të cilën po kalon vendi.

Oda Ekonomike Amerikane rikujton institucionet përgjegjëse se gjendja aktuale që lidhet me eskalimin e shpejtë dhe të vazhdueshëm të kostos së jetesës, kërkon masa adekuate konvecionale dhe jo vendime improvizuese, me efekte afatshkurtra apo kundërefekte.

Në anën tjetër, duke shprehur konsideratë për kërkesat e përfaqësuesve të mësimdhënësve e të cilat lidhen me vështirësitë e përballimit të kostove të ngritura të jetësës, Oda Ekonomike  Amerikane thërret për demonstrim të gatishmërisë për arritje të kompromisit, me qëllim të rinisjes së procesit mësimor dhe lejimit të së drejtës për edukim për fëmijët kosovarë.

Diskursi publik duhet të jetë nxitës i arritjes së kompromisit dhe jo i përkeqësimit të raporteve ndërmjet partnerëve socialë. Në këtë aspekt, Oda Ekonomike Amerikane kërkon nga institucionet e vendit që të promovojnë dialogun e sinqertë me të gjithë hisedarët në vend. Qeverisja është përgjegjësi e institucioneve shtetërore, por në demokracitë e zhvilluara ajo kapërcen shtetin duke përfshirë edhe organizatat sociale, sektorin privat, dhe organizatat e shoqërisë civile në përgjithësi