In Medias Res

Editoriale

Bashkohuni me ne në rrjetet sociale

Kosovalive SH.P.K.
Rruga Vicianum, 2/1 Arberi
10000 Prishtine
Kosovë

Email: [email protected]
Tel: 038 753 465
Tel: 043 588 700

“Panairi Pandemik i Librit” – protestë kundër propagandës politike

me 25 Qershor 2020 ora 09:08

U Kopjua

Një stendë libri ishte e vetmja mbi platenë e Pallatit të Rinisë në kryeqytet. Në fillim të qershorit, artisti “I am I” kishte protestuar në një mënyrë të veçantë me rezonancë nga thrilleri politik “V for Vendetta”.

Një performancë protestuese ai e ka realizuar edhe gjatë paradites të së mërkurës duke e quajtur si “Panairi Pandemik i Librit”.

“Që nga paslufta e këndej, në Kosovë fillimi i muajit qershor tradicionalisht është njohur si muaji i Panairit të Librit. Këtë vit Panairi është pezulluar si pasojë e pandemisë dhe masave preventive ndaj saj. Por qershori nuk do të përfundojë pa ‘Panair të librit’”, ka shkruar “I am I” në sinopsisin dërguar KOHËS për “panairin” e improvizuar artistikisht. Artisti që identifikohet “I am I” dhe nuk e zbardh identitetin, nuk kishte bërë ndonjë njoftim paraprak për performancën, njashtu sikurse edhe për të tjera.

Për “Panairin Pandemik të Librit” ka përzgjedhur një libër për t’ia dhënë krejt vëmendjen. I botuar para dy vjetësh për presidentin e Kosovës, “New State, Modern Statesman”, me autorë Roger Boyes dhe Suzy Jagger është vënë në “shitje” nga artisti. Për artistin, libri në fjalë e portretizon Thaçin si lider të përmasave botërore, të krahasueshëm me Winston Churchill, Nelson Mandela, Charles de Gaulle, Gerry Adams dhe Richard Nixon.

Për “I am I” në stendën e tij improvizuese është bërë edhe një ofertë e veçantë “vetëm për anëtarët/anëtaret e Kryesisë së LDK-së”, duke përfshirë edhe një fjalor voluminoz anglisht-shqip, ku presidenti aktual, Thaçi, dikur ishte shprehur me deklarata të forta kundër pararendësit të tij Ibrahim Rugova.

“Kjo performancë protestuese godet temën që qëllimisht nuk trajtohet, godet propagandën tejet të dëmshme të Thaçit në librin e tij biografik, i cili për brezat dhe gjeneratat pas, fatkeqësisht, do të jetë referencë”, ka shkruar ai.

Në një prononcim për KOHËN, “I am I” ka thënë se performanca “nuk ka të bëjë asgjë me zhvillimin politik” të së mërkurës, duke iu referuar njoftimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, janë dy të akuzuarit e parë që do të paraqiten në Gjykatën Speciale në Hagë. Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje.

“Performanca është realizuar rreth orës 11:00 dhe është publikuar në rrjetet sociale rreth orës 12:40, kurse lajmi ishte koincidencë që erdhi pas dy orësh”, ka thënë “I am I”. Pyetjes së cili është identiteti i tij i është përgjigjur prerazi. “Jam ‘I am I’, artist performativ që protestën time e zhvilloj përmes artit duke trajtuar zhvillimet sociopolitike në vend në formë proteste”.