Kulturë

Bashkohuni me ne në rrjetet sociale

Kosovalive SH.P.K.
Rruga Vicianum, 2/1 Arberi
10000 Prishtine
Kosovë

Email: [email protected]
Tel: 038 753 465
Tel: 043 588 700

Për dorëheqjen e Komandantit të FSK-së, Çitaku: Në vend se të dekorohet, gjeneral Rama dorëhiqet para mbylljes së mandatit

12:35 / 01 Dhjetor 2021

U Kopjua

Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, duke komentuar dorëheqjen e Komandantit të FSK-së, gjeneral Rrahman Ramës, ka thënë se ajo çfarë ka ndodhur javëve të fundit me FSK-në nuk duhet të normalizohet.  Ajo ka thënë se “në vend se të dekorohet, Gjeneral Rama dorëhiqet, pak pa e përmbyllur mandatin”.

Çitaku, e cila aktualisht është nënkryetare e PDK-së, përmes një postimi në Facebook, ka bërë përgjegjës ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, për dorëheqjen e Komandantit të FSK-së.

“Ministri Mehaj ka bërë shkelje të rëndë edhe të ligjit, po edhe të marrëveshjes me SHBA-të, duke kërkuar nga Komandanti i FSK-së që t’i japë asetet e FSK-së për shfrytëzim në operacione policore”, ka shkruar Çitaku, transmeton Kosova.LIVE.

Në fund ajo ka thënë se “Gjeneral Rama e ka merituar të përcillet me nderime dhe ceremoni, sikurse që Gjeneral Jashari e ka merituar ta pranojë detyrën me ceremonitë që i takojnë një emërimi të tillë”.

Postimi i plotë i Çitakut:

“Forca e Sigurisë së Kosovës është institucioni më kredibil dhe më profesional në Republikën e Kosovës.

Përgjatë viteve, kam pasur nderin e veçantë që të bashkëpunoj me shumë oficerë të FSK-së. Gjatë shërbimit tim si Ambasadore në SHBA, kam pasur privilegjin që të shoqëroj dhjetëra delegacione zyrtare. Asnjëherë nuk jam ndjerë më krenare se kur kam qenë përkrahë ushtarëve të FSK-së.

Nuk do ta harrojë kurrë tetorin e vitit 2018, kur bashkë me ndihmësen e Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Laura Cooper, kam bashkë-kryesuar mbledhjen e parë të Grupit Punues për Politika të Sigurisë SHBA-Kosovë, të mbajtur në Pentagon. Për nga pregaditja dhe profesionalizmi, oficerët e FSK-së ishin në të njejtin nivel me oficerët amerikan.

Përgjatë fazave të ndryshme të transformimit, nga UÇK, në TMK e më pas FSK, është ruajtur bërthama e luftës çlirimtare, paralelisht me krijimin e vlerave të reja.

Nga Gjeneral Rama, kolonel Qeriqi, kolonel Dreshaj, deri tek Arilena Shala, Yll Dalladaku, Ilirijanë Bunjaku e Luan Haradinaj, ( po i përmend me emër këta me të cilët kam bashkëpunuar, pa i hyrë në hak askujt) FSK sot është ushtri moderne, me oficerë të pregaditur e shkolluar në Akademitë më prestigjioze ushtarake në botë.

Falë punës së tyre para së gjithash, kemi arritur ta ndërrojmë mandatin e FSK-së në ushtri, dhe sot pjesëtarët e FSK-së janë në misione të përbashkëta me trupat amerikane.

Ajo çfarë ka ndodhur javëve të fundit me FSK-në nuk duhet të normalizohet. Ministri Mehaj ka bërë shkelje të rëndë edhe të ligjit, po edhe të marrëveshjes me SHBA-të, duke kërkuar nga Komandanti i FSK-së që t’i japë asetet e FSK-së për shfrytëzim në operacione policore. Me veprime të tilla cënohet rëndë kredibiliteti i FSK-së si partnere dhe aleate. Reagimi nga SHBA-të ka qenë i ashpër dhe i menjëhershēm.

Në vend se të dekorohet, Gjeneral Rama dorëhiqet, pak pa e përmbyllur mandatin.

Gjeneral Jasharajt i dëshiroj sukese dhe mbarësi. Besoj fuqishëm se edhe komandanti i ri i ushtrisë do ta ruaj integritetin e FSK-së. Jam e bindur se do të dalë faqebardhë.

Në fund fare, shteti është edhe ceremoni dhe simbolika. Gjeneral Rama e ka merituar të përcillet me nderime dhe ceremoni, sikurse që Gjeneral Jashari e ka merituar ta pranojë detyrën me ceremonitë që i takojnë një emërimi të tillë”, ka shkruar Çitaku.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh komandante supreme e Forcave të Sigurisë së Kosovës, të martën ka emëruar gjeneralmajor Bashkim Jasharin komandant të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në përputhje me kompetencat kushtetuese.

Pas dorëheqjes së Gjenerallejntënant Rrahman Rama nga pozita e Komandantit të FSK-së, tashmë është emëruar komandanti i ri.

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pas dorëheqjes së tij si komandant i FSK-së do të ushtrojë një funksion të ri në Kroaci.

Rama do të jetë përfaqësues i Kosovës në RACVIAC-Qendra për Bashkëpunim në Siguri në Kroaci. Ai këtë pozitë pritet ta marrë pas dekretimit nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës./Kosova.LIVE.