In Medias Res

Editoriale

Bashkohuni me ne në rrjetet sociale

Kosovalive SH.P.K.
Rruga Vicianum, 2/1 Arberi
10000 Prishtine
Kosovë

Email: [email protected]
Tel: 038 753 465
Tel: 043 588 700

Policia s’e ka ndalur Kadri Shalën kur ka hyrë në Kosovë, ai ka shkuar i lirë në stacion

me 26 Tetor 2020 ora 20:19

U Kopjua

Kadri Shala, pronari i kompanisë “LDA Group” ku u derdhën 2.1 milionë euro të shtetit me disa transaksione ilegale, është kthyer sot në Kosovë si çdo qytetar tjetër, ndonëse po kërkohej nga Prokuroria Speciale.

Avokati i tij, Osman Hoxha, ka treguar se Shala është kthyer nga Turqia dhe nuk është ndaluar fare me të hyrë në Kosovë, raporton Gazeta Express.

“Ky ka jetu në Kosovë, ashtu siç është treguar më herët përmes mediave. Ka udhëtu njëherë për një kohë të shkurtër në Turqi. Është kthyer vetë. Kemi ardhë unë me të bashkë, jemi paraqitur këtu në Polici”, ka thënë Hoxha.

I pyetur se pse nuk është ndaluar gjatë hyrjes në territorin e Kosovës, avokati i Shalës ka thënëse “ajo çështje nuk i përket avokatisë, aty janë organet kompetente”.

Shala sot u paraqit në stacionin policor, ku u intervistua për disa orë, në prani edhe të avokatit të tij.

Pas intervistimit, ai u ndalua për 48 orë, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Për herë të parë nga arratia, Kadri Shala u paraqit në mbrëmjen e së shtunës. Përmes vëllait të tij, ai kishte dorëzuar një letër të shkruar me dorë në redaksinë e Gazetës Express dhe Televizionit T7. Në këtë letër që mban datën 24 tetor 2020, Shala ka treguar historinë se si ka përfunduar një shumë kaq e madhe e parave nga buxheti i shtetit në llogarinë e firmës së tij. Ai ka thënë se kishte menduar që ka pranuar mjete nga kompanitë që siç tha, i kishin atij borxhe.

Shala kishte shkruar se posa ka marrë këto para, kishte nisur t’i shlyente borxhet që ua kishte personave e kompanive të ndryshme.

Më 20 tetor, punëtori i Thesarit, Labinot Gruda, u arrestua nën dyshimin se përmes katër transaksioneve ka transferuar saktësisht 2,077,995.90 euro nga buxheti i shtetit në llogarinë e kompanisë “LDA Group”.

Në llogarinë e “LDA Group” fillimisht ishin transferuar 622 mijë euro, herën e dytë 375 mijë, pastaj 330 mijë dhe për herë të fundit 750 mijë euro.

Hetimi për këtë vjedhje përfshin 40 njerëz, të cilët në forma të ndryshme dyshohet se janë bërë protagonistë të këtij skandali.

Skandali i vjedhjes së mbi dy milionë eurove nga buxheti i shtetit është planifikuar mbi një strategji që gjeti zbatim për 8 minuta, sipas dosjes së Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Në kërkesën për caktimin e paraburgimin ndaj të arrestuarit Labinot Gruda, Prokuroria ka treguar se në Ministrinë e Financave, Labinot Gruda, për 8 minuta kishte krijuar llogari fiktive që do të duhej të dukeshin si të ishin të punëtorëve të këtij dikasteri, e që do t’i mundësonin atij pastaj që kundërligjshëm t’i transferonte 2,077,995.90 euro në llogari të kompanisë “LDA Group”, pronë e Kadri dhe Valon Shalës.

Për të arrestuarin e vetëm për këtë rast, zyrtarin e Thesarit, Labinot Gruda, Gjykata Themelore e Prishtinës të enjten ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Për këtë rast, në kërkim është edhe përfaqësuesi i autorizuar i “LDA Group”, Valon Shala.