In Medias Res

Editoriale

Bashkohuni me ne në rrjetet sociale

Kosovalive SH.P.K.
Rruga Vicianum, 2/1 Arberi
10000 Prishtine
Kosovë

Email: [email protected]
Tel: 038 753 465
Tel: 043 588 700

PRONARI I MAJMUNËVE

me 19 Prill 2022 ora 15:07

U Kopjua

Në shtetin feudal të Çu-së, një plak mbijetonte duke mbajtur në shërbim të tij disa majmunë. Njerëzit e quanin atë “hu gong” (pronari i majmunëve). Çdo mëngjes, plaku i mblidhte majmunët në oborrin e tij dhe urdhëronte majmunin më të madh që t’i çonte të tjerët në pyll për të mbledhur fruta nëpër pemë. Plaku kishte vënë rregull që çdo majmun duhej t’i jepte atij një të dhjetën e frutave që kishte mbledhur. Ata që nuk e zbatonin këtë rregull, ai i ndëshkonte duke i rrahur me kamxhik. Të gjithë majmunët e kalonin jetën me vuajtje të dhimbshme, por askush prej tyre nuk guxonte të ankohej.

Një ditë, një majmun i vogël pyet të tjerët:

– Plaku i ka mbjell të gjitha pemët frutore në pyll?

– Jo, pemët kanë mbirë dhe janë rritur vetë, – i përgjigjen majmunët e tjerë.

Pastaj, majmuni i vogël pyet:

– Po ne, a mund t’i marrim frutat pa lejen e plakut?

– Po, mund t’i mbledhim dhe t’i marrim për vete, – përgjigjen të gjithë, njëherazi.

Dhe majmuni i vogël vazhdon:

– Atëherë, pse t’i bindemi plakut? Pse ne duhet t’i shërbejmë atij?…

Para se majmuni i vogël të mbaronte fjalinë, të gjithë majmunët, papritmas, kuptojnë se paskëshin qenë në një terr skllavërie. Po atë natë, kur plaku bie në gjumë, majmunët shkatërrojnë gardhin e kasolles, ku plaku i mbante të mbyllur, rrëmbejnë gjithë rezervat e frutave që ai mbante në depo dhe ikin në pyll, për të mos u kthyer më.

Plaku vdes nga marazi dhe uria.

Morali i fabulës: Gjithë ata liderë që qeverisin popujt e tyre me djallëzi e padrejtësi, i ngjajnë pronarit të majmunëve. Nuk ka rëndësi nëse ata janë apo nuk janë të vetëdijshëm për poshtërsinë dhe mizorinë e tyre. Populli duhet të zgjohet nga gjumi, për t’u dhënë dërrmën këtyre qeveritarëve të këqij.