In Medias Res

Editoriale

Bashkohuni me ne në rrjetet sociale

Kosovalive SH.P.K.
Rruga Vicianum, 2/1 Arberi
10000 Prishtine
Kosovë

Email: [email protected]
Tel: 038 753 465
Tel: 043 588 700

Rreziqet nga mosmiratimi i buxhetit: S’ekzekutohen ndihmat për bizneset dhe qytetarët që mbetën pa punë

me 25 Dhjetor 2020 ora 22:19

U Kopjua

Në prag të shpalljes së datës së zgjedhjeve në Kosovë, ndonëse akoma po vazhdojnë konsultimet ndërmjet partive politike dhe ushtrueses së detyrës së Presidentit të Kosovës, vendi rrezikon të mbetet pa miratimin e buxhetit për vitin e ardhshëm. Pa miratimin e buxhetit nuk do të mund të ekzekutohen as ndihmat financiare për bizneset dhe qytetarët që mbetën pa punë për shkak të pandemisë. 

Në këtë linjë për të mos rrezikuar stabilitetin financiar, Bashkimi Evropian bëri thirrje për miratimin e buxhetit përpara zgjedhjeve të reja parlamentare në Kosovë. Bashkimi Evropian thotë se është e rëndësishme që buxheti i Kosovës të miratohet nga kjo legjislaturë e Kuvendit.  

Zgjedhjet e reja duhet të mbahen shpejt, pasi që Gjykata Kushtetuese gjeti që qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti, ishte zgjedhur në mënyrë antikushtetuese me (03.06) kur një deputet i dënuar për korrupsion nuk kishte pasur të drejtë të votojë, e në fakt kjo votë ishte vendimtare për miratimin e qeverisë në Kuvend prej 61 votash. 

“Jemi në dijeni për vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe presim publikimin e plotë të këtij vendimi. Tani u takon institucioneve të Kosovës që t’i bëjnë hapat e ardhshëm përkatës, në përputhje me vendimin. BE do të vazhdojë të angazhohet me të gjithë në Kosovë, për të promovuar agjendën e integrimeve evropiane dhe reformat e nevojshme. Në këtë fazë është posaçërisht e rëndësishme që buxheti për vitin 2021 të miratohet dhe kalohet nga kjo përbërje e Kuvendit, sa më parë që të jetë e mundur”, tha njëri nga zëdhënësit e BE-së, Peter Stano.

Buxheti po shqyrtohet nga Komisioni për buxhet dhe transfere

Tashmë projektligji për buxhetin e vitit 2021 është dërguar në Kuvendin e Kosovës nga ana e Qeverisë në largim dhe ky projektbuxhet ndodhet në shqyrtim në Komisionin për buxhet dhe transfere.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se muaji janar nuk duhet ta gjejë Kosovën pa buxhet të miratuar për vitin 2021. Ai thotë se “buxheti për vitin tjetër është i përgatitur mirë”, dhe kërkoi nga partitë politike në Kuvend “që të bëjnë propozimet për ndryshimet e mundshme”, për çka i ftoi që ta  votojnë buxhetin.

“Unë kam kontaktuar grupet parlamentare, po pres përgjigje nëse ka gatishmëri për këtë çështje dhe besoj që shpejt definohet gjithçka”, tha kryeministri Hoti.

“Në rast se do të ketë kërkesa për ndryshim të buxhetit në linjat e ndryshme, atëherë e mirëpresim një gjë të tillë. Kemi qenë gjithmonë të hapur t’i vlerësojmë të gjitha kërkesat e grupeve parlamentare, sepse buxheti nuk është i qeverisë, buxheti është i shtetit të Kosovës dhe duhet të adresojë të gjitha nevojat që ka shteti”, deklaroi kryeministri Hoti, duke theksuar se pret nga të gjitha grupet parlamentare që të reflektojnë.

“Jemi në një situatë tani specifike, në prag të zgjedhjeve, nuk është mirë të hyhet në janar pa buxhet të miratuar. Një draftbuxhet i përgatitur në mënyrën më të mirë mundshme është në Kuvend. Le të urdhërojnë grupet parlamentare nëse kanë sugjerime të ndryshme për të bërë ndryshime në atë projektbuxhet dhe ta miratojnë”, thotë  Hoti.

Bashkimi Evropian i dha Kosovës edhe 24.05 milionë euro ndihmë për zbutjen e ndikimit të pandemisë së COVID-19. 

“BE do të vazhdojë mbështetjen e Kosovës me fonde shumë të nevojshme për të zbutur ndikimin socio-ekonomik të krizës së COVID-19 mbi popullsinë dhe bizneset e Kosovës. Përmes këtyre pagesave të mbështetjes buxhetore, ne ndihmojmë Kosovën për t’ia dalë mbanë vështirësive financiare me të cilat përballen në këtë situatë të vështirë”, thuhet në një deklaratë të zyrës së BE-së në Prishtinë, e cila citon Komisionarin për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi. 

Pagesat e mëparshme të BE-së lidhur me administratën publike dhe reformat e menaxhimit të financave publike në shumën prej 11.5 milionë euro dhe 9.97 milionë euro, u dërguan në Kosovë në dhjetor të vitit 2019 dhe korrik 2020.

Ekonomia e Kosovës është goditur rëndë nga pandemia duke shënuar rënie të madhe ekonomike. Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, tha se “ekonomia e Kosovës pritet që të ketë një rënie prej 7.2 për qind, që paraqet goditjen më të rëndë që ka pësuar ekonomia në 20 vitet e fundit. Sipas zyrtarëve të qeverisë, mbyllja e bizneseve dhe kufizimet tjera për shkak të pandemisë kanë krijuar humbje deri në 1 miliard euro. 

Nga ana tjetër përfaqësues të bizneseve kërkojnë miratimin e buxhetit para shpërndarjes së Kuvendit në mënyrë që vendi  siç thonë “të mos kolapsojë”. Berat Rukiqi kryetar i Odës Ekonomike e Kosovës, thotë se “projektbuxheti për vitin 2021 duhet të miratohet para shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, pasi granti i qeverisë prej 200 milionë eurosh do të lehtësonte punën e bizneseve”.

“Të gjitha bizneset janë në pritje dhe do të ishte një zhgënjim dhe goditje e madhe për bizneset nëse nuk miratohet shpejtë buxheti”, thotë Rukiqi. 

Edhe punonjësit, të cilët kanë humbur punën gjatë pandemisë, nëse nuk miratohet buxheti shpejt, mund të mos marrin ndihmën prej 300 euro në muaj  për tre muaj rresht, ashtu siç parashihet në Ligjin për rimëkëmbje ekonomike.

Po ashtu, sipas zëvendësministrit në detyrë të Financave, Agim Krasniqi, nëse nuk miratohet buxheti nuk do mund të ekzekutohet as granti në shumë prej 200 milionë eurosh, për ndihmë direkte financiare për biznese.