In Medias Res

Editoriale

Bashkohuni me ne në rrjetet sociale

Kosovalive SH.P.K.
Rruga Vicianum, 2/1 Arberi
10000 Prishtine
Kosovë

Email: [email protected]
Tel: 038 753 465
Tel: 043 588 700

Si e ndalën ambasadat ligjin për vlerat e UÇK’së që cenon lirinë e shprehjes

me 13 Gusht 2020 ora 12:50

U Kopjua

Projektligji për Mbrojtjen e Vlerave të UÇK ‘së nuk ka kaluar në lexim të parë.


LDK’ja e Vetëvendosje nuk e votuan projektligjin e kritikuar shumë nga ambasada amerikane dhe BE’ja.

Isa Mustafa një natë më parë kërkoi të tërhiqet projektligji, ndërsa Rexhep Selimi i VV’së e ka kritikuar ligjin për mangësi.

Ambasada amerikane ka dalë eksplicit kundër ligjit për mbrojtjen e vlerave të UCK’së. Ambasadori Philip Kosnett, u kërkoi nëpërmjet një shkrimi autorial deputetëve të Kosovës të mos e votojnë atë, shkruan Express.

Më parë, ai konsideronte se ky ligj e kriminalizon fjalën e lirë.

“Ligji i propozuar për vlerat e UCK-së është mënyrë e gabuar për ta respektuar UCK-në. Ai e kriminalizon fjalën e lirë, i frikëson qytetarët dhe është i kushtueshëm. Ai devijon nga përpjekjet praktike për të kuptuar dhe mësuar historinë e Kosovës” ,kishte shkruar Kosnett.

Mendimin me ambasadorin amerikan e ka ndarë ambasadori i ri gjerman, Jorn Rohde, e edhe Zyra e BE’së në Kosovë, e cila në disa përgjigje dhënë Gazetës Express ka kërkuar të mos votohet ai projektligj.

“Ne u bëjmë thirrje ligjvënësve të Kosovës që të rishqyrtojnë dispozitat e tilla. Nëse miratohet në formatin e tashëm, ky ligj do të minojë përpjekjet vendore dhe ndërkombëtare për të forcuar më tej respektimin e të drejtave themelore në Kosovë” thuhej në përgjigjen e Zyrës së BE’së, duke shtuar se UCK’ja është vlerë integrale e historisë së Kosovës, por ligji ngrit shqetësime për të drejtat e njeriut.

Ambasadorëve të huaj u ka dhënë të drejtë kreu i LDK’së, Isa Mustafa, i cili i ka kërkuar PDK’së ta tërheqë propozimin.

“Ai ligj është më mirë të tërhiqet prej procedurës. Do të bënte mirë PDK-ja që ta tërhiqte. Ka mjaft shumë vërejtje e shumë pasaktësi”, është shprehur ndër tjerash ai”, ka thënë Mustafa.

“Ka shumë vend që u jep të drejtë ambasadorëve… Mendoj se ligji duhet të tërhiqet, duhet të bisedohet edhe me ndërkombëtarët për të parë vërejtjet esenciale të tyre, ndërkaq a ka nevojë që ne tash të sjellim ligj të veçantë për UÇK-në apo jo është tjetër”.

Ndërkaq Shefi i Grupit Parlamentar, Rexhep Selimi, që është një nga komandantët e UCK’së, e ka kundërshtuar këtë ligj, duke e konsideruar të mangët dhe ligj që e shtrembëron luftën e UCK’së.

Pse u kundërshtua kaq shumë ligji?

Projekligji për Mbrojtjen e Vlerave ka 12 nene, disa prej të cilave janë kontestuar e janë konsideruar

Neni 5 i këtij projektligji thotë se “Çdo zyrtar publik dhe qytetar i Republikës së Kosovës detyrohet t’i respektojë dhe t’i mbrojë vlerat e luftës të përcaktuara me këtë ligj në çdo kohë dhe rrethanë brenda dhe jashtë vendit”.

Propozuesi i këtij ligji, deputeti i PDK’së, Gazmend Bytyci, një ditë para se të dilte projektligji në votim, ka thënë në Frontal të T7, se janë të vetëdijshëm që ligji ka hapësirë për përmirësime dhe se i lejojnë ato.

Sipas tij, askush nuk duhet të frikësohet nga ky ligj. Deputeti, i pyetur se si mund të pritet një ligj i tillë nga qytetarët serbë në Kosovë, ka thënë se ““Ne e kuptojmë realitetin politik, e kuptojmë se si është formuar shteti i Kosovës, me cilët aleatë është formuar, e kuptojmë edhe Kushtetutën, por ne duhet t’i mësojmë edhe shtetasit serbë se UÇK’ja ka luftuar edhe për lirinë e tyre”.

Ndryshe, ky projektligj parasheh si vlera të luftës: lufta e armatosur e popullit të Kosovës, e udhëhequr nga UÇK’ja me qëllim të çlirimit të Kosovës; UÇK’në si formacion ushtarak të armatosur, veteranin e UÇK’së, flamuri, betimi i ushtarit, stema, shtabi i përgjithshëm, drejtoria politike, shtabet e zonave operative, arkiva, si dhe Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe komplekset e tjera.

Gjatë votimit të sotme, në sallë ishin 68 deputetë, por vetëm 36 morën pjesë. 35 votuan për dhe një kundër. Abstenime nuk pati. Projektligji kthehet prapë për votim në ndonjë rast tjetër.