In Medias Res

Editoriale

Bashkohuni me ne në rrjetet sociale

Kosovalive SH.P.K.
Rruga Vicianum, 2/1 Arberi
10000 Prishtine
Kosovë

Email: [email protected]
Tel: 038 753 465
Tel: 043 588 700

“Silver Boom” pushton hapësirën publike me lirinë e grave

me 19 Tetor 2020 ora 17:05

U Kopjua

Ndërvarësia midis hapësirës, qytetit, gjinisë dhe moshës, e ka kthyer artisten Anna Anderegg në Kosovë. Nëpërmjet performancës “Silver Boom” ku bëri bashkë gjashtëmbëdhjetë gra në moshë, zbërtheu këtë aspekt duke u përqendruar te rritja e vetëdijesimit kolektiv. Qe si një intervenim artistik që mund të cilësohet edhe si dialog midis trupit njerëzor dhe hapësirës publike përreth.

Koreografja zvicerane e ka nxitur publikun që të mendojë së çfarë janë duke bërë këto gra e çfarë po tregojnë. Nëpërmjet lëvizjeve, performueset kanë përcjellë imazhe e ndjesi që janë perceptuar në mënyra të ndryshme nga të pranishmit.

E gjitha nisi të dielën, në sheshin “Skënderbeu”. Gratë që u bënë pjesë e performancës “zaptuan” hapësirën publike duke mos e vrarë mendjen se ku po ulen, si po qëndrojnë, apo nëpër cilat rrugë po kalojnë. Dikush kaloi përmes ujit që rridhte nga fontana, një tjetër u ul në ulësen e vendosur në shesh, tjetra kapi një gjethe të pemës, e njëra u mbështet në shtyllën e ndriçimit publik.

Në çantat me mbishkrime të festivalit “Hapu”, gjashtëmbëdhjetë gratë kanë mbajtur disa transmetues të vegjël. Nëpërmjet tyre dëgjoheshin rrëfime që vinin të copëzuar, duke ia pamundësuar publikut që të krijonte një rrëfim të plotë. Performanca përfundoi te shkallët pas shtatores së Skënderbeut afër objektit të Qeverisë së Kosovës. Aty ishte edhe pika kulmuese e kësaj performance dhe e procesit artistik që është rezultat i rezidencës artistike dyjavore. Gratë, të cilat për herë të parë u bënë pjesë e një performance të tillë, u mbështjellën me letra të mëdha. I rrudhën dhe në fund i shqyen.

“Ishte sikur po hiqja gjithë barrën nga vetja dhe po çlirohesha”, ka thënë Kimete Zeqa (71). Ka shtuar se njerëzit janë të tillë që mund të pyesin se çfarë po bën kjo grua në këtë moshë. “Por, kjo nuk është asgjë e pamoralshme”, ka shtuar ajo duke potencuar se thjesht e kanë shfrytëzuar hapësirën që u takon. “Aktivitetet të cilat i kemi bërë, lëvizjet, ishin shumë interesante për shkak të hapësirës që e kemi shfrytëzuar. Më është dukur vetja shumë e liruar, kam thënë shyqyr që jam në vendim tim: Lëvizi lirshëm, marr pozitën që dua, ulem kur dua dhe ndalem kur të dua”, ka thënë ajo.

“Silver Boom” përfundoi me një modifikim me këngën “Vajta kalova” që u këndua nga gratë.