Sunny Hill lanson aplikacionin mobil (iOS/Android) – me kuletë digjitale për pagesa të pijeve apo ushqimit në festival

14:50 / 01 Gusht 2022

U Kopjua

Sunny Hill Festival ka njoftuar se sot ka lansuar aplikacionin e saj mobil, i cili mund të shkarkohet falas nga AppStore apo Google Play Store.

Në këtë edicion të festivalit, të gjitha pagesat për pije dhe ushqim në festival do të jenë vetëm digjitale, përmes aplikacionit mobil të festivalit, bylyzykut digjital i cili mund të mbushet me kredi (pikat e konvertimit të parave kesh në para digjitale do të jenë të shumta në hapësirën e festivalait) si dhe përmes POS terminaleve të ProCredit Bank.

Mbushja e kredisë për pije dhe ushqim mund të bëhet online në aplikacion, apo përmes pikave fizike të kthimit të parave kesh në kredi digjitale për shfrytëzim.

Pagesat për pije dhe ushqim janë shumë të thjeshta. Pas mbushjes së llogarisë online sipas shumave të dëshiruara, përdoruesi e blen produktin e zgjedhur vetëm duke e skenuar atë me QR kod të aplikacionit mobil të festivalit, skenim të bylyzykut digjital apo me kartelë përmes POS-it.

Sunny Hill është festivali më i madh në rajon i cili mbahet çdo vit në Prishtinë. Duke filluar prej këtij viti, festivali tradicional i kryeqytetit kosovar (4-7 gusht) do të mbahet edhe në Tiranë (26-28 gusht).