Bashkohuni me ne në rrjetet sociale

Kosovalive SH.P.K.
Rruga Vicianum, 2/1 Arberi
10000 Prishtine
Kosovë

Email: [email protected]
Tel: 038 753 465
Tel: 043 588 700

Vdes ish-presidenti shqiptar Bujar Nishani

me 28 Maj 2022 ora 15:25

U Kopjua

Ish-presidenti i Republikës Bujar Nishani ka vdekur. Pak ditë më parë ai u nis drejt Gjermanisë për të kuruar sëmundjen autoimune të mëlçisë, të cilën ia përkeqësoi COVID-19, por nuk ia doli të mbijetojë, raporton Euronews.

Nishani fillimisht mori ndihmën mjekësore në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ dhe pas rëndimit të gjendjes shëndetësore, u dërgua në Gjermani.

Bujar Nishani ishte 58 vjeç dhe ushtroi detyrën e Presidentit të Shqipërisë nga 24 korriku i vitit 2012 deri në 24 korrik të vitit 2017.

Më herët ai kishte mbajtur poste të rëndësishme në qeveri, një ndër të cilave si ministër i Brendshëm.

Kush ishte Bujar Nishani?

Karriera e tij profesionale filloi në vitin 1988 si pedagog në Akademinë Ushtarake Skënderbej.

Pas kësaj, në 1993 shërbeu si Drejtor i Punëve të Jashtme në Ministrinë e Mbrojtjes, për të vazhduar në Departamentin e Marrëdhënieve me NATO-n në Ministrinë e Punëve të Jashtme në vitin 1994.

Viti 1996 e gjen Nishanin në Kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes. Një vit më pas u emërua dhe shërbeu si Kryetar i Forumit Ushtarak Euro-Atlantik për burra dhe gra.

Karriera politike e Nishanit filloi në vitin 1991 si anëtar i Partisë Demokratike.

Në vitin 2001 u zgjodh Sekretar i Degës së Partisë Demokratike Tiranë, ndërsa në vitin 2003 u zgjodh anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Dy vite më pas Nishani zgjidhet anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë Qendrore të kësaj partie politike.

Ndërsa, në korrik po të këtij vite ishte kandidat për Partinë Demokratike, ku fiton mandatin e deputetit në zonën zgjedhore 34 në Tiranë. Në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009, ai u zgjodh sërish deputet.

Nga marsi 2007 deri në shtator 2009, Nishani shërbeu si Ministër i Brendshëm.

Gjithashtu ai ka qenë dhe ministër i Drejtësisë, nga shtatori 2009 deri në prill 2011 dhe më pas, në prill të 2011 Nishani u emërua sërish në postin e Ministrit të Brendshëm, ku qëndroi deri në qershor të vitit 2012, kur u zgjodh nga Kuvendi i Shqipërisë në detyrën e Kreu i shtetit.

Më 24 korrik 2012 Bujar Nishani u betua si President i Republikës para Kuvendit të Shqipërisë për një mandat.

Nga 2017 e në vijim ka vijuar me angazhimin e tij politik pranë selisë blu.