Në sallën e Qendrës Kulturore Informative në Shkup, u promovua botimi i miniaturave për flaut dhe piano nga kompozitori ynë i mirënjohur Valton Beqiri.
Fillimisht fjalën e mori ideatorja e këtij projekti, flautistja Sarana Ademi, e cila shtjelloi procesin deri te realizimi përfundimtar i veprave me motive nga të gjitha trojet shqiptare.
Ajo u shpreh se ky botim do të jetë në funksion të muzicientëve për shumë vite. Sipas recenzentes, prof. Venera Mehmetagaj-Kajtazi, këto miniatura ofrojnë mundësinë e përzgjedhjes së veprave nga njëra prej tyre e deri te kombinimi apo realizimi i tyre në tërësi.
Ajo po ashtu theksoi se këto vepra do të jenë pjesë e shpeshtë e repertorit koncertal jo vetëm në suaza kombëtare, por edhe ndërkombëtare.